Maqedoni
Dhuna familjare, Toshkovski: Dy raste të reja të dhunës familjare
06.03.2026 16:00
Rasti i fundit me dy viktimat si pasojë e dhunës familjare në Shkup...

Rasti i fundit me dy viktimat si pasojë e dhunës familjare në Shkup ka inkurajuar qytetarët që këtë formë të veprës penale të mos e heshtin, por ta paraqesin në institucionet përkatëse.
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, thotë se së fundmi në stacionet policore po trajtohen edhe dy raste të reja të dyshuara për dhunë familjare. Në zonën e Kisella Vodës, oficerët e policisë nga SPB Shkup e privuan nga liria B.S. nga Shkupi, nën dyshimin se kishte qëlluar me armë drejt gruas së tij 48-vjeçare, kishte kërcënuar tre vajzat e tyre të moshës 26, 24 dhe 18 vjeç dhe kishte sulmuar fizikisht vajzën 24-vjeçare.
“Dhunuesi potencial është ndaluar në stacionin policor dhe ndaj tij do të merren masa nga ajo që kemi vërtetuar fillimisht nga gjendja faktike. E rëndësishme është që në rastin konkret, për fat të mirë, nuk ka pasoja me vdekje. Ndaj të dyshuarit do të procedohet me procedurë urgjente. Gjatë natës së djeshme kishim edhe një rast që ka lidhje me dhunën familjare dhe, siç jam i informuar, edhe një dhunues tjetër është ndaluar në stacionin policor dhe edhe për këtë rast do të veprohet në bashkëpunim me Prokurorinë Publike”, deklaroi Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.
Debat: Kur hesht viktima, të veprojë sistemi
Këto raste kanë ngjallur debat në opinion. Ekspertë dhe përfaqësues të institucioneve po diskutojnë gjetjen e zgjidhjeve dhe përgjigjeve adekuate për mospërsëritjen e këtyre rasteve në të ardhmen.
Ushtruesja e detyrës së kryeprokurores, Anita Topallova Isajllovska, theksoi se ndryshimet e fundit në Kodin Penal i mundësojnë prokurorit publik ta vazhdojë ndjekjen në bazë të detyrës zyrtare dhe me këtë të veprojë edhe në situata kur viktima, nga frika apo varësia, tërhiqet nga ndjekja penale. Nga fillimi i vitit 2024 deri më sot janë evidentuar 1.715 procedura për lëndime trupore të kryera gjatë dhunës familjare. Nga këto të dhëna, 798 janë ndërprerë për shkak të tërheqjes së propozimit për ndjekje nga ana e viktimës.
Dënimet me kusht nuk janë sanksion adekuat për ndërprerjen e trendit të rritjes së këtyre veprave penale. Prokurorët theksojnë mungesën e kallëzimeve dhe informacioneve nga qendrat për punë sociale.
“Dhuna në familje nuk është çështje private, por është çështje me interes publik dhe përgjegjësi e institucioneve. Këto ndryshime janë në pajtueshmëri me standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e viktimave, duke përfshirë edhe obligimet që dalin nga Konventa e Stambollit e Këshillit të Evropës, e cila thekson obligimin e shtetit të sigurojë ndjekje efektive të kryerësve të veprës, mbrojtje të viktimave dhe zero tolerancë përmes parandalimit. Ndryshimet ligjore nuk janë të mjaftueshme, ballafaqimi me dhunën familjare kërkon qasje të fortë dhe të koordinuar institucionale”, u shpreh u.d. kryeprokurorja Anita Topallova Isajllovska.
Deputetja Monika Zajkova theksoi se në Kuvend janë iniciuar ndryshime ligjore për mbrojtjen dhe pengimin e dhunës familjare, që nënkupton se dhunuesit në të ardhmen duhet të mbajnë hallkë elektronike, e cila do të alarmojë institucionet nëse dhunuesi ndodhet afër viktimës.
“Kemi obligim të vendosim mekanizma të caktuar parandalues, për këtë arsye është propozuar ky ligj për hallkën elektronike. Për këtë qëllim kërkova nga Komisioni për Mundësi të Barabarta hapjen e një seance mbikëqyrëse që të shihet se ku është përgjegjësia personale dhe ku janë lëshimet”, theksoi deputetja Monika Zajkova.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore Publike ka hapur rast për veprimet e Qendrës për Punë Sociale lidhur me shërbimet në rastin e nënës dhe vajzës së ndjerë, të cilat humbën jetën. Do të hetohet nëse këto parregullsi plotësojnë elementet e një vepre penale që ndiqet sipas detyrës zyrtare.
FLORIJE KAMBERI
