BDI shënon 13 vjetorin e themelimit, Ahmeti i dërgon letër komisionerit Hahn

05.06.2015 12:29

Në ditën e shënimit të 13 vjetorit të themelimit të BDI-së, lideri i integristëve, Ali Ahmeti, i është drejtuar me një letër eurokomisionerit, Johanes Hahn, në të cilën shpreh mirënjohje për përpjekjet e tij dhe të tre eurodeputetëve dhe për kontributin dhënë në drejtim të zgjidhjes së krizës serioze politike me të cilën po ballafaqohet Maqedonia...

Edhe kontributi i ambasadorëve të BE-së dhe ShBA-ve në Maqedoni është i mirëpritur, i vlerësuar dhe ne e inkurajojmë vazhdimin e përpjekjeve në të njëjtin format gjatë zbatimit të marrëveshjes, thuhet në letër.

“Do të doja që të shfrytëzoj këtë mundësi që ta riafirmoj përkushtimin tonë të fuqishëm për ta zbatuar marrëveshjen e arritur më 2 qershor në Shkup dhe do të vijojmë me kontributin konstruktiv në të gjitha nivelet për ta zgjidhur krizën politike, si dhe t’i hapim rrugë reformave thelbësore në të mirën e të gjithë qytetarëve dhe të vendit tonë. Njëkohësisht, gjithashtu mirëpres përkushtimin tuaj të fuqishëm të theksuar në Shkup, që ju do ta vijoni insistimin që të arrihet kompromis i përbashkët dhe që Bashkimi Evropian do të pranojë vetëm një marrëveshje me përfshirjen dhe pajtimin e katër partive më të mëdha parlamentare”- shkruan Ahmeti në letrën e tij.

Siç përcakton edhe marrëveshja, procesi dhe parimet euroatlantike, përforcimi i marrëdhënieve ndëretnike, zbatimi i plotë i Marrëveshjes paqësore të Ohrit, e cila garantohet nga BE, ShBA dhe NATO, si dhe përmirësimi i marrëdhënieve ndërfqinjësore së bashku me çështjet e reformave sistematike, mbesin prioritet për vendin tim si dhe për miqtë tanë ndërkombëtarë, shkruan Ahmeti, duke shprehur bindje se katër liderët politik duhet që të bëjnë përpjekje shtesë që ta promovojnë marrëveshjen dhe të angazhohen për suksesin e saj.

Ahmeti siguron eurokomisionerin Hahn se tek BDI do të gjejë gjithnjë partnerin e duhur, jo vetëm për përkrahjen dhe zbatimin e marrëveshjes së 2 qershorit, por edhe për përafrimin e Maqedonisë me Bashkimin Evropian. (Merita Gashi, TVM2)