Maqedoni

Hetim për tentim-vrasje dhe rrezikim të sigurisë së bashkëshortes

07.03.2026 12:18

Prokuroria Themelore Publike Shkup ka nxjerrë urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore kundër një 55-vjeçari...

Prokuroria Themelore Publike Shkup ka nxjerrë urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore kundër një 55-vjeçari, i dyshuar për veprën penale – vrasje sipas nenit 123 paragrafi 2 pika 2 në lidhje me nenin 19 (në tentativë). Kundër tij është iniciuar edhe procedurë për veprën – rrezikim i sigurisë sipas nenit 144 paragrafi 3 në lidhje me paragrafët 2 dhe 1 të Kodit Penal.
 
Më 1 mars, në shtëpinë familjare dhe në prani të një personi tjetër, gjatë ushtrimit të dhunës në familje, ai me dashje ka tentuar ta privojë nga jeta bashkëshorten e tij. Ai ka nxjerrë një pistoletë që e posedonte me leje, e ka përgatitur për qitje dhe ka shkrepur një plumb, i cili ka kaluar pranë të dëmtuarës, është përplasur në parket dhe ka përfunduar në dritare. Më pas ka zbritur në katin e poshtëm dhe u ka thënë dy vajzave se kishte qëlluar drejt nënës së tyre. Ato së bashku me të dëmtuarën janë larguar nga shtëpia.
 
Më 5 mars, i dyshuari përsëri, para dy fëmijëve, i është kërcënuar bashkëshortes me pistoletë me qëllim që t’i shqetësojë dhe t’i frikësojë.
 
Prokurori publik te gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykata Themelore Penale Shkup ka dorëzuar propozim për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin, pasi ekziston rrezik për arratisje, mundësi për ndikim mbi dëshmitarët dhe procedurën, si dhe rrezik që ai ta përfundojë veprën e vrasjes që ka tentuar ta kryejë.