Hahn: Zgjidhni përgjimet me metoda juridike, zgjidhni krizën ose rrezikoni rekomandimin
Eurokomisari për zgjerim, Johanes Hahn, vlerëson se në Maqedoni ka krizë të thellë politike dhe politikanët duhet të ballafaqohen me të...

Marrëveshja e arritur të martën, është një hap i madh drejt zgjidhjes, vlerëson Hahn, duke shtuar se stabiliteti i Maqedonisë është i rëndësishëm jo vetëm për vendin, por për të gjithë rajonin.
Hahn është i vetëdijshëm se realizimi i marrëveshjes së arritur nga katër krerët e partive politike në vend kërkon kohë, mund dhe punë dhe kjo ishte arsyeja që u dakordua që zgjedhjet të mbahen në pranverë të vitit të ardhshëm.
Ekzistojnë disa paqartësi që duhet të përfundojnë, të modifikohet Kodi Zgjedhor, të rishikohet lista zgjedhore dhe disa elemente tjera. Mbikëqyrja që OSBE-ja ju bëri disa cikleve të fundit zgjedhor, rezultoi me raport pozitiv. Por, kriza aktuale politike rëndohet nga një aferë përgjimesh, që duhet të zgjidhet sa më shpejt përmes metodave juridike, ka deklaruar eurokomesari, Hahn. Por, gjithsesi, sipas tij, opozita duhet të kthehet në parlament për të kontribuar në zgjidhjen e krizës.
“Ekziston një skandal i cili nuk mund të injorohet. Ekzistojnë 22 mijë incizime, që është skandal i madh dhe nuk mund të injorohet. Mos të flas për përmbajtjen e tyre. Unë jam i mendimit se duhet të ketë reaksion dydrejtimësh në këtë punë. Njëri është politik dhe për këtë kërkojmë që opozita të kthehet në parlament dhe të ballafaqohet me këtë çështje në mënyrë politike, përmes parlamentit, të ketë komisione hulumtuese etj. Por, në ndërkohë është vepër kriminale dhe rasti duhet të zgjidhet sipas standardeve evropiane dhe ndërkombëtare”- deklaroi eurokomesari për zgjerim, Johanes Hahn.
Pas plotësimit të kushteve që dalin nga kapitulli 23 dhe 24 i legjislativit për eurointegrim, vendi do të jetë shumë afër fillimit të bisedimeve për integrim, ka thënë Hahn.
“Në vitin 2005, IJRM mori statusin e vendit kandidat. Nga ky hap më tutje asgjë nuk ndodhi. Në BE kemi kapitullin 23 dhe 24 për vendet me të cilat nisim negociatat për integrim e që kanë të bëjnë me sistemin e së drejtës, pavarësinë e gjykatave dhe lirinë e mediave. Shpresojmë se me implementimin e këtyre pikave, vendi do t’i kthehet stabilitetit dhe perspektivës eurointegruese”- tha eurokomisari për zgjerim, Johanes Hahn.
Megjithatë, Hahn gjithashtu ka theksuara përpara zyrtarëve në Uashington se nëse kriza nuk zgjidhet deri në fund të muajit qershor, Maqedonia, edhe pse gjashtë herë ka marrë rekomandim për fillimin e bisedimeve, mundet që në shtator të humb rekomandimin për fillimin e bisedimeve, respektivisht kur KE të shpall raport-progresin. (Nermin Mulaki-Fejzullahu, TVM2)
