Maqedoni
Shënohet 7 Marsi, Dita e Mësuesit dhe Shkollës Shqipe
07.03.2026 14:49
Sot shënohet 7 Marsin, Ditën e Mësuesit, në të cilën vlerësohet kontributi i mësimdhënësve ndër vite në arsimimin dhe edukimin e brezave...

Sot shënohet 7 Marsin, Ditën e Mësuesit, në të cilën vlerësohet kontributi i mësimdhënësve ndër vite në arsimimin dhe edukimin e brezave. Me këtër rast kryetari i kuvendit Afrim Gashi, Zëvendës kryemsintiri Bekim Sali dhe zyrtarë të tjerë shtetëror dhe politik përcollën urime.
“Me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit dhe Shkollës Shqipe, shpreh respektin dhe mirënjohjen më të thellë për të gjithë mësimdhënësit që, me përkushtim dhe përgjegjësi të lartë, kanë një rol të pazëvendësueshëm në edukimin dhe formimin e brezave të rinj. Kjo ditë simbolizon jo vetëm fillimin e një kapitulli të rëndësishëm në historinë e arsimit shqip, por edhe vlerësimin për misionin fisnik të mësimdhënësit, i cili përmes dijes, edukimit dhe shembullit personal kontribuon në ndërtimin e një shoqërie më të zhvilluar, më të drejtë dhe më të ndërgjegjshme. Shkolla dhe mësuesit kanë qenë gjithmonë shtylla të rëndësishme të ruajtjes së gjuhës, identitetit dhe kulturës, duke mbjellë te brezat e rinj dashurinë për dijen, përgjegjësinë qytetare dhe vlerat demokratike.”, thekson në urimin e tij kreu i kuvendit Afrim Gashi.
“Shfrytëzoj rastin të Uroj Ditën e Mësuesit, dhe jemi falenderues për punën që e kanë bërë për të gjith ne si gjenrata më të rritura dhe për punën që e bëjnë për gjeneratat e reja.”, u shpreh zëvendës kryeministri i parë Bekim Sali.
Urime për Ditën e mësuesit kanë përcjellë edhe krerët e shtetit Shqiptar dhe të republikës së Kosovës.
“Me energjinë e fëmijëve nga Manastiri, që na kujtojnë sa e fortë është lidhja përmes gjuhës, ju uroj Gëzuar 7 Marsin”, ka theksuar kryeministri shqiptar Edi Rama i cili ka pritur në kryeministri një grup fëmijësh nga Biblioteka “Linkest” në Manastir.
Ndërsa Presidentja e Kosovë, Vjosa Osmani në urimin e sajë thekson: “7 Marsi është festa e shpirtit të kombit tonë, i cili mbijetoi falë gjuhës shqipe. Shkolla shqipe ishte akt qëndrese, në shtëpi, në bodrume e në kushte sakrifice. Në kohë përndjekjesh, mësuesit shqiptarë nuk u dorëzuan. E mbajtën gjallë gjuhën, librin dhe ëndrrën e një kombi që donte të jetonte i lirë”.
Dita e mësuesit 7 Marsi e ka zanafillën në themelet e para të shkollës shqip, te Mësonjëtorja shqipe e Korçës, e cila u themelua më 7 mars të vitit 1887. Në vitin 1885, Naim Frashëri, si zyrtar në Ministrinë e Arsimit në Stamboll, me të vëllain, Sami Frashërin dhe aktivist të “Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip”, siguruan lejen nga Sulltan Abdylhamidi II-të për hapjen e shkollës shqipe për djem në Korçë, ndërsa mësues dhe drejtor i parë ishte Pandeli Sotiri. Mërgata e Rumanisë, përkatësisht anëtarët e Shoqërisë “Drita” të Bukureshtit, sigurua mbështetje financiare për funksionimin e kësaj shkolle, ndërsa objekti i shkollës u vendos në shtëpinë e dhuruar nga Diamant Terpo.
Patrikana e Stambollit refuzoi gjuhën shqipe në shkollat ekzistente greke të komunitetit ortodoks të Korçës, por Pandeli Sotiri e çeli në Korçë më 7 mars 1887 shkollën e pare shqipe. Por pasi Sotirit iu desh të largohej nga Korça administrimi i shkollës i kaloi Petro Nini Luarasit dhe Thanas Sinës. Poashtu autoritetet osmane i dhanë leje vetëm të krishterëve shqiptarë të ndiqnin mësimdhënien në këtë shkollë, por shqiptarët nuk iu bindën lejes dhe lejuan fëmijët myslimanë që të mund ta ndiqnin.
Vitet e para, në shkollë u regjistruan rreth 200 nxënës të besimit mysliman dhe të krishterë. Në vitin 1888, shkolla kishte 100 nxënës të krishterë dhe 60 myslimanë. Më 15 tetor 1891, Gjerasim Qiriazi së bashku me të motrën Sevasti Qiriazi hapën edhe Mësonjëtoren e vajzave, baza e së cilës ishte gjithashtu gjuha shqipe dhe kultura kombëtare. Në shenjë nderimi dhe kujtimi për kontributin e Mësonjëtores së Korçës dhe mësuesve të saj, në vitin 1960 shteti shqiptar vendosi që kjo ditë të shënohet si Dita e Mësuesit dhe Shkollës Shqipe.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
