Maqedoni

Tragjedia në Karposh, Prokuroria: Masë paraburgimi për bashkëshortin e Ivanës

07.03.2026 15:24

Prokuroria Publike ka propozuar masën e paraburgimit dhe ka filluar procedurë ndaj bashkëshortit të Ivana Jovanovskit tashmë të ndjerë...

Prokuroria Publike ka propozuar masën e paraburgimit dhe ka filluar procedurë ndaj bashkëshortit të Ivana Jovanovskit tashmë të ndjerë, e cila më dy mars i mori jetën vetes, bashkë në krahë me vajzën e saj 6-vjeçare. Bashkëshorti do të ndiqet për nxitje në vetëvrasje dhe disa vepra tjera penale. 
 
“Prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike e Shkupit ka nisur procedurë dhe ka propozuar masën e paraburgimit ndaj një personi për të cilin ekziston dyshim i bazuar se ka kryer vepra penale: Nxitje dhe ndihmë në vetëvrasje (neni 128 paragrafi 4), Lëndim trupor (neni 130 paragrafi 2 në lidhje me paragrafin 1), Rrezikim i sigurisë (neni 144 paragrafi 3 në lidhje me paragrafët 2 dhe 1) sipas Kodit Penal.”
 
Prokuroria në gjah edhe ndaj rasteve të tjera dhune. Nis hetim edhe kundër një shkupjani që u përpoq ta vrasë gruan me pistoletë me 1 dhe 5 mars. 
 
LSDM për tragjeditë e fundit: MPB po dështon, Toshkovski të dorëhiqet
 
Ndërkohë, LSDM-ja kërkon përgjegjësi nga ministri i brendshëm Toshkovski, siç thonë, pas një sërë tragjedisë që erdhën si pasojë e dhunës familjare dhe mos reagimeve në kohë të institucioneve. Në prag të Ditës Ndërkombëtare të Gruas, kryetarja e forumit të grave të LSDM-së, Shukova, bëri thirrje për reagim kundër dhunës dhe dështimeve institucionale 
 
“Edhe sa jetë duhet të shuhen për përgjegjësi? Edhe sa tragjedi duhet të ndodhin që Pançe Toshkovski të japë dorëheqje? Opinioni është i shokuar dhe në zi. Në tragjedinë e fundit në Karposh humbën jetën nëna dhe fëmija i saj i mitur. MPB -ja e Toshkovskit nuk i mbrojti… Dhunuesi serik në Veles mori dy jetë, të Rosicës së re dhe babait të saj… Në Kumanovë në Staro Nagoriçane vrasësi serik u mori jetën pesë grave. Dy vite janë injoruar ankesat e banorëve... Bën gjithçka që ta largojë përgjegjësinë nga vetja. U bën thirrje institucioneve ndërkaq ai udhëheq institucion.”, u shpreh kryetarja e forumit të grave të LSDM-së, Kaja Shukova.
 
VMRO-LSDM-së: Tragjeditë, anash politikës ditore
 
VMRO-ja kërkon nga LSDM që të mos i përziejë tragjeditë me politikën ditore.
 
“Për respekt ndaj opinionit dhe përgjegjësisë ndaj qytetarëve, VMRO-DPMNE në tërësi i mohon dhe hedh poshtë këto përpjekje të paturpshme dhe dëshpëruese që tragjeditë të keqpërdoren për sulme politike ditore. Maqedonia meriton politikë serioze dhe jo politikë histerike dhe qasje dëshpëruese nga një parti e cila siç shihet, assesi të pajtohet me humbjen e vet.”
 
VMRO e etiketon LSDM-në se me sjelljen e saj po tregon shenja  krize politike dhe psikologjike.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU