Botë

Iran, sulmet e SHBA-së dhe Izraelit në javën e dytë

07.03.2026 15:54

Lufta në Iran hyn në javën e dytë, ndërsa kanë vazhduar sulmet në Iran nga Izraeli dhe SHBA-ja...

Lufta në Iran hyn në javën e dytë, ndërsa kanë vazhduar sulmet në Iran nga Izraeli dhe SHBA-ja, me çrast njoftohet për shpërthime të shumta në Teheran. Avionët izraelitë kanë hedhur mbi 230 bomba, duke shkatërruar një fabrikë raketash dhe një akademi ushtarake. Është goditur edhe aeroporti Mehrabad, një nga dy aeroportet më të mëdha në Iran.
 
“Po e sulmojmë armikun, udhëheqjen e tij, regjimin e tij shtypës dhe objektiva të ndryshme, përfshirë edhe ato në Liban.”, tha kryemsinitri i Izraelit, Benjamin Netanyahu.
 
Presidenti amerikan Donald Trump kushtëzon marrëveshjen me dorëzim të pakushtëzuar nga Irani dhe një lider të pranueshëm nga SHBA-të.
 
“Nuk do të ketë marrëveshje me Iranin përveç kapitullimit të pakushtëzuar! Pas kësaj, dhe pas zgjedhjes së një lideri të shkëlqyer dhe të pranueshëm, ne dhe shumë nga aleatët dhe partnerët tanë të mrekullueshëm e të guximshëm do të punojmë pa pushim për ta rikthyer Iranin nga pragu i shkatërrimit, duke e bërë ekonomikisht më të madh, më të mirë dhe më të fortë se kurrë më parë. Irani do të ketë një të ardhme të shkëlqyer. ‘Bëjeni Iranin përsëri të madh.”, deklaroi presidenti amerikan Donald Trump. 
 
Por autoritetet në Teheran thonë se nuk do të dorëzohen kurrë. Po ashtu presidenti Pezeshkian u ka kërkuar falje fqinjëve dhe ka premtuar se Irani nuk do ti sulmojë, përveç nëse sulmi ndaj Iranit nis nga territori i tyre. 
 
“Vendosëm që të mos ketë sulme të reja raketore ndaj vendeve fqinje, përveç nëse sulmi ndaj Iranit vjen nga territori i tyre.”, u shpreh Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian.
 
Megjithatë, u njoftua se dronët kanë goditur pranë aeroportit në Dubai, duke u pezulluar përkohësisht fluturimet. Ndërsa Garda Revolucionare iraniane sulmoi forcat kurde në veri të Irakut, si dhe bazën Al-Dhafra në Abu Dabi. 
 
Sa u përket raportimeve në media se Rusia po ndan informacione të inteligjencës me Iranin, të cilat mund ta ndihmojnë të shënjestrojë objektiva ushtarake amerikane në rajon, nga Uashingtoni thonë se SHBA-ja e di shumë mirë se kush me kë komunikon.
 
“Ne ndjekim gjithçka. Komandantët tanë janë të vetëdijshëm për gjithçka. Ne kemi shërbimin më të mirë të inteligjencës në botë. E dimë kush me kë flet dhe për çfarë bisedon. Prandaj nuk jemi të shqetësuar për këtë. Të vetmit që duhet të shqetësohen tani janë iranianët që mendojnë se do të mbijetojnë.”, sekretari amerikan i mbrojtjes, Pit Hegset.
 
Përveç mbështetjes ruse, shërbimet amerikane nuk e kanë përjashtuar mundësinë që edhe Kina të jetë e përfshirë me ndihmë financiare dhe komponentë ushtarakë për Iranin.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI