Maqedoni

Lufta në Lindjen e Mesme, Emini: E mundur kriza energjetike dhe valë migrantësh

07.03.2026 16:42

Lufta në Lindjen e Mesme mund të ketë pasoja edhe për Maqedoninë e Veriut...

Lufta në Lindjen e Mesme mund të ketë pasoja edhe për Maqedoninë e Veriut, veçanërisht në dy drejtime, në sektorin energjetik dhe në mundësinë e një krize të re emigrantësh, vlerëson njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Nefail Emini. Sipas tij, rreziku i parë lidhet me një krizë të mundshme energjetike, duke pasur parasysh se Maqedonia e Veriut është një vend me burime të kufizuara energjetike dhe është në masë të madhe e varur nga importi i naftës dhe gazit.

“Pjesa më e madhe e naftës dhe e gazit në Maqedoninë e Veriut vijnë nga shtetet e Lindjes së Mesme, të cilat nuk po mund të prodhojnë dhe eksportojnë këto burime kaq të nevojshme energjetike drejt tregjeve globale duke marr parasysh faktin se Irani po sulmon rafineritë e tyre si dhe kanë mbyllur ngushticën e Hurmuzit e cila është prokalimi më i rëndësishëm botëror për transportin e naftës dhe të gazit drejt tregjeve globale. Në rast se kjo luftë zgjerohet në hapësirë dhe në kohë atëherë vendi ynë si dhe pjesa tjetër e Evropës dhe Botës mund të përballet me një krizë energjetike ku do të kemi jo vetëm rritje të çmimeve të burimeve energjetike por në të njëjtën kohë do të kemi edhe mungesë të këtyre burimeve.”, u shpreh njohësi i çështjeve ndërkombëtare Nefail Emini.
 
Sipas Eminit, një nga masat që qeveria mund të ndërmarrë për të zbutur efektet është ulja e tatimeve dhe akcizave për energjinë. Kjo, sipas tij, do të ndikonte pozitivisht në tregun e brendshëm dhe do t’i mbante çmimet e naftës më të përballueshme për qytetarët dhe bizneset. Ai po ashtu thotë se vendi ynë mund të shërbejë si një vend transit i migrantëve në drejtim të Serbisë e pastaj drejt shteteve të Evropës.
 
“Në rast se kjo luftë zgjerohet mund të kemi një eksod të qytetarëve iranianë, duke marr parasysh se Irani është shteti më i madh për nga numri i banorëve për në Lindjen e Mesme dhe ka mbi 90 milion banorë dhe nëse lufta zgjerohet atëherë këto banorë do të largohen nga zonat e luftërave dhe do të kalojnë transit nëpër Turqi, Bullgari po ashtu edhe vendi ynë mund të shërbejë si një vend transit në drejtim të Serbisë e pastaj drejt shteteve të Evropës Perëndimore dhe të Evropës Qendrore dhe në këto rrethana shteti ynë duhet të marrë masa.”, u shpreh Emini.
 
Sa i përkujton dimensionit të sigurisë, Emini thotë se Maqedonia e Veriut është anëtare e NATO-s, por edhe pse nuk ka indikacione për ndonjë kërcënim të drejtpërdrejtë, institucionet duhet të jenë të përgatitura dhe të krijojnë një shtab krize për çdo zhvillim të mundshëm eventual. 
 
ARMEND MURSELI