Maqedoni

Kumanovë: Shënohet dita e mësuesit – 7 Marsi

07.03.2026 17:31

Manifestimi qendror për komunën e Kumanovës dhe Likovës u mbajt sot në sallën e Ish Komitetit Komunal në Kumanovë...

Në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme me mësim në gjuhën shqipe, gjatë ditës së djeshme me aktivitete të shumta u shënua 7 Marsi – Dita e Mësuesit. Manifestimi qendror për komunën e Kumanovës dhe Likovës u mbajt sot në sallën e Ish Komitetit Komunal në Kumanovë, nën organizim të Shoqatës së arsimtarëve shqiptarë “Naim Frashëri”.
 
Në praninë e arsimtarëve, nxënësve e mysafirëve të shumtë, referatin e paraqiti nxënësja Rona Saiti, si dhe fjalë rasti mbajti kryetari i ShASh “Naim Frashëri”, Samet Jahiu.
 
“Kokat e ndrutura të rilindjes kombëtare me punën e tyre dhe sakrificën e pa shoq u vun në ballë të armiqve të cilët qëndronin si re e zezë mbi kombin tonë. Kontribut të veçantë në këtë drejtim dhanë shumë shkrimtar të letërsisë shqiptare me veprat e tyre dhe shkrimet e tyre gazetareske”, tha mes tjerash nxënësja Rona Saiti.
 
“Mirë se keni ardhur në këtë manifestim të cilin e ka organizuar ShASh “Naim Frashëri”, dega Kumanovë-Likovë, na keni nderuar me prezencën e juaj dhe u jemi falenderues dhe mirënjohës”, tha mes tjerash Samet Jahiu nga ShASh “Naim Frashëri” - dega Kumanovë-Likovë.
 
Në fund të theksojmë se mirënjohje iu ndanë arsimtarëve të dalluar nga shkollat fillore dhe të mesme të Kumanovës dhe Likovës. Këtë herë u nda edhe një mirënjohje e veçantë për gazetarin në pension të RTVM, Nexhat Aqifi, i cili për dekada të tëra kontribuoi në avancimin e vlerave arsimore në procesin edukativo- arsimor. Pjesë e manifestimit ishte edhe një program i pasur kulturo-zbavitës me këngë e valle dhe recitime.  
 
FATLUM AQIFI