Botë

OKB: Gratë gëzojnë vetëm 64% e të drejtave

08.03.2026 15:13

Gratë në botë i gëzojnë vetëm 64% nga të drejtave ligjore që i kanë burrat...

Sipas agjencisë së Kombeve të Bashkuara për barazi gjinore, gratë globalisht gëzojnë vetëm 64 për qind të të drejtave ligjore që u garantohen burrave, duke i ekspozuar ato ndaj diskriminimit, dhunës dhe përjashtimit në shumë fusha të jetës. Kjo thuhet në raportin e ri të Sekretarit të Përgjithshëm të Organizata e Kombeve të Bashkuara, të titulluar “Sigurimi dhe Forcimi i Qasjes në Drejtësi për të Gjitha Gratë dhe Vajzat”. 
 
Raporti thekson se në më shumë se gjysmën e vendeve të botës, rreth 54 për qind e dhunimit seksual ende nuk përkufizohet në bazë të mungesës së pëlqimit, gjë që do të thotë se një grua mund të jetë viktimë e përdhunimit pa u njohur kjo vepër si krim nga ligji. Po ashtu, në pothuajse tri nga katër vende, ligjet kombëtare vazhdojnë të lejojnë martesën e detyruar të vajzave. Ndërkohë, në 44 për qind të shteteve, legjislacioni nuk garanton pagë të barabartë për punë me vlerë të barabartë, duke bërë që gratë të mund të paguhen ligjërisht më pak se burrat për të njëjtën punë. 
 
Sipas Eurostat pensioni mesatar për gratë në BE është për rreth 24,5% më i ulët nga ai i burrave. Në Maqedoninë e Veriut pensioni i grave është për 18,2 për qind më i ulët se pensioni i burrave. 
 
Sipas raportit, shkeljet e të drejtave të grave dhe vajzave po përshpejtohen edhe për shkak të një kulture globale pandëshkueshmërie, që shtrihet nga sistemet gjyqësore deri te hapësirat online dhe zonat e konfliktit. Raporti vë në dukje se ndërsa teknologjia zhvillohet me ritëm të shpejtë, gratë dhe vajzat përballen gjithnjë e më shumë me dhunë digjitale, ndërsa autorët rrallë mbahen përgjegjës. 
 
Në zonat e konfliktit, përdhunimi vazhdon të përdoret si armë lufte, me raste të raportuara të dhunës seksuale që janë rritur me 87 për qind në vetëm dy vjet.
 
Megjithatë, raporti thekson se përparimi është i mundur. Sipas tij, 87 për qind e vendeve kanë miratuar tashmë ligje kundër dhunës në familje dhe më shumë se 40 shtete kanë forcuar mbrojtjen kushtetuese për gratë dhe vajzat gjatë dekadës së fundit.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU