Botë

Izraeli, sulme ndaj burimeve energjetike iraniane

08.03.2026 15:38

Burimet energjetike iraniane kanë qenë cak i sulmeve izraelite, të cilat kanë goditur depot e naftës....

Burimet energjetike iraniane kanë qenë cak i sulmeve izraelite, të cilat kanë goditur depot e naftës. Ndërkohë ShBA-ja ka dërguar edhe aeroplanmbajtësen e tretë në rajon, si pjesë e strategjisë për të marrë kontrollin mbi rezervat iraniane të naftës. Kryeministri i Izraelit Netaniahu thotë se lufta me Iranin do të sjell eliminimin e kërcënimit bërthamor dhe rritjen e paqes. 
 
“Ne kemi një plan të organizuar, me shumë surpriza për fazën e ardhshme të luftës me Iranin. Momenti i së vërtetës po afrohet. Suksesi ynë jo vetëm që do të sjellë eliminimin e kërcënimit bërthamor për të gjithë botën, por do të sjellë edhe zgjerim të ndjeshëm të rrethit të paqes rreth nesh.”, tha kryeministri i Izraelit Benjamin Netaniahu.
 
Netaniahu, deklaroi se vendi i tij do ta vazhdojë luftën kundër Iran me gjithë forcën, ndërsa shtoi se Izraeli dhe SHBA-të kanë arritur të vendosin pothuajse kontroll të plotë të hapësirës ajrore mbi Tehran. Por autoritetet iraniane thonë se ShBA-të dhe dhe Izraeli po përpiqen të shpërbëjnë Republikën Islamike duke me skenar të ngjashëm me Venezuelën.
 
“Perceptimi i tyre ishte se do të ishte si në Venezuelë, do të sulmonin, do të merrnin kontrollin dhe gjithçka do të përfundonte por tani janë bllokuar.”, u shpreh sekretari i Këshillit Suprem për Siguri Kombëtare të Iranit, Ali Larixhani.
 
SHBA-të nga ana tjetër paralajmërojnë një ofensivë të zgjatur dhe intensive deri në humbjen e plotë ushtarake të Iranit. Presidenti Trump, ka lënë të kuptohet se nuk është i interesuar për negociata për t’i dhënë fund konfliktit dhe se lufta mund të përfundojë vetëm pas shkatërrimit të kapaciteteve ushtarake dhe eliminimit të udhëheqjes iraniane.  
 
“Ndoshta nuk do të ketë as edhe dikë që të pranojë humbjen, sepse e dini se udhëheqjen e tyre e kemi eliminuar shumë herë. Pra ose do të dorëzohen, ose nuk do të mbetet askush që të thotë po dorëzohemi, në kuptimin ushtarak do të jenë plotësisht të paaftë.”, tha presidenti i ShBA-ve, Donald Trump.
 
Ndërkohë, ambasada amerikane në Oslo është goditur nga një shpërthim para hyrjes së objektit. Policia norvegjeze për momentin nuk ka informacione se çfarë saktësisht ka ndodhur dhe kush mund të jetë i përfshirë në sulm, por nuk përjashtohet mundësia që sulmi të lidhet me zhvillimet në lindjen e mesme. 
 
“E kemi kontrolluar tërësisht zonën për t’u siguruar se nuk ka rreziqe të tjera për personelin e ambasadës apo për njerëzit që jetojnë në zonë. Po kërkojmë autorët e përfshirë në incident.”, u shpreh drejtuesi i Distriktit Policor të Oslos, Mikael Delemir.
 
Ky është goditja e dytë në tokë evropiane pasi një dron iranian sulmoi bazën britanike në Qipro. Në përpjekje për të mbrojtur ishullin, Italia dërgoi fregatën e saj në Qipro.
 
“Për të siguruar kufijtë e Bashkimit Evropian, po vendosim një fregatë italiane në Qipro. Një akt solidariteti evropian, por mbi të gjitha një akt parandalimi.”, tha kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni.
 
Ndërkohë, Kuvajti, Dubai, Bahrejni, Arabia Saudite dhe Iraku raportuan sulme iraniane, duke njoftuar edhe për viktima dhe të plagosur pasi fragmente raketash dhe dronësh kanë rënë mbi objekte civile. Sipas Teheranit “armiku” e ka keqinterpretuar kërkim faljen e Iranit ndaj fqinjëve dhe premtoi se do të luftojë me të gjithë fuqinë. Autoritetet iraniane theksuan se çdo pikë prej ku buron agresioni ndaj Iranit është një objektiv legjitim. 
 
Ndërkohë Izraeli vazhdon me sulmet ndaj grupeve pro-iraniane në Liban. Njëherit autoritete izraelite kanë deklaruar se trashëgimtari i sapozgjedhur i Ajatollahut Khamenei do të jetë objektivi i tyre i radhës. Sipas autoriteteve iraniane deri më tani janë vrarë 1200 persona dhe mbi njëmijë të tjerë janë plagosur. Gjysmëhëna e Kuqe iraniane, ka njoftuar se nga sulmet e fundit janë dëmtuar rreth 10 mijë objekte civile. 
 
VLORA LATIFI TOPOJANI