Maqedoni

Kumanovë, “FRI” dhe “Vllaznia” ndan pako humanitare

08.03.2026 16:42

Në rajonin e Kumanovës dhe Likovës janë shpërndarë 120 pako me produkte ushqimore e higjienike për skamnorët..

Forumi Rinor Islam, dega në Kumanovë, në bashkëpunim me Shoqatën Edukative “Vllaznia”, me rastin e muajit të shenjtë të Ramazanit, në kuadër aktivitetit humanitarë “Shporta e Ramzanit”, shpërndanë 120 pako me produkte ushqimore e higjienike për skamnorët në rajonin e Kumanovës dhe Likovës. Aktiviteti humanitar, “Shporta e Ramazanit”, realizohet përmes donacioneve të grumbulluara nga qytetarët e rajonit të Kumanovës që po donojnë mjete financiare në pikat e caktuara grumbulluese.
 
“Duke e patur parasysh rritjen me intensitet të shpejtë të çmimeve të produkteve ushqimore, dhe thuaj se çdo ditë krizë, kjo po ndikon në popullatën tonë, kështu që nevoja për ndihma është aktuale dhe e pranishme. Kjo është mbushja e radhës e shportave me produkte ushqimore e higjienike, jemi duke mbushur 120 shporta, të cilat tutje do të shpërndahen në komunën e Kumanovës dhe Likovës. Në organizatën tonë, interesimi është i kënaqshëm dhe shpresoj dhe besoj se do të kemi rritje të numrit të shpërndarjeve deri në fund të Muajit të Ramazanit.”, u shpreh mes tjerash, Memedali Limani nga FRI dega Kumanovë.
 
Nga “FRI”, apelojnë deri tek të gjithë qytetarët që të ndajnë nga buxheti i tyre me qëllim që familjeve në nevojë t’ua lehtësojnë këto ditë të vështira ekonomike e sociale.
 
“Bëj thirrje që ata që kanë dëshirë të kontribuojnë e kanë vendin tek ne, një organizatë që funksionon tashmë shumë vite dhe me besim tek qytetarët. Siç e kemi potencuar edhe më herët mërgata është gjithmonë e interesuar edhe pse në këtë kohë shumica nuk janë me pushime e sidomos tash në Muajin e Ramazanit në vendlindje, por që nga vendet ku jetojnë dhe veprojnë, gjithmonë lajmërohen dhe interesohen se si mund të kontribuojnë duke mbushur shporta për disa familje kështu që zakonisht mërgata kur bënë thirrje për mbushje të shportave, ata mbushin shporta në numër më të madh njëherazi”, u shpreh mes tjerash, Limani.
 
Ndryshe ky aktivitet realizohet tash e 19 vite dhe tashmë është tradicional dhe zgjatë gjatë tërë muajit të shenjtë të Ramazanit.
 
FATLUM AQIFI