Rajon

Tiranë, protestë kundër pabarazisë në Ditën Ndërkombëtare të Gruas

08.03.2026 19:19

Nën moton “Revoltohu motër”, aktivistet, gra dhe vajza në Shqipëri, në këtë 8 Mars nuk zgjodhën festën, por protestën...

Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, qindra vajza, gra dhe aktivistë u mblodhën në Tiranë për të protestuar dhe për të ngritur zërin kundër pabarazisë, dhunës dhe padrejtësive me të cilat përballen gratë në shoqëri.
 
Me pankarta në duar dhe thirrjen “Revoltohu motër!”, ata marshuan në rrugët e kryeqytetit duke kërkuar barazi dhe siguri për gratë dhe vajzat.
 
Ata theksuan se të jesh grua në Shqipëri shpesh do të thotë të jetosh me frikë, pasi diçka më shumë se gjysma e grave në Shqipëri (53%) kanë përjetuar të paktën një formë dhune gjatë jetës së tyre.
 
Marshimi u thirr nga Kolektivi Feminist në Shqipëri. Organizatorët theksuan se femicidi nuk është “krim pasioni,” por “rezultat i një shoqërie që ende nuk e vlerëson jetën e grave si të barabartë”.
 
Gjatë tubimit, vajzat dhe gratë ndanë edhe histori personale mbi presionin dhe kontrollin që përjetojnë në familje shoqëri dhe në hapësirën publike. Edhe puna e papaguar dhe barra e përditshme që mbajnë gratë në familje dhe në shoqëri ishte pjesë e mesazheve të marshimit, i cili përfshiu edhe përfaqësues grupimesh politike.
 
Marshimi u mbyll përpara Kryeministrisë. Aktivistet nuk kursyen kritikat edhe ndaj gjuhës seksiste në politikë ndaj strukturave patriarkale në pushtet.
 
Përveç kërkesave për barazi dhe drejtësi për gratë në Shqipëri, protestuesit shprehën solidaritet edhe me gratë në vendet e luftës, si Palestina, Irani dhe Ukraina, të cilat sipas tyre përballen njëkohësisht me shtypje patriarkale dhe konflikte të armatosura.