Botë

Djali i Khameneit, udhëheqës i Iranit, Tramp: Lufta mbaron në koordinim me Netanjahun

09.03.2026 09:09

Djali i Ali Khameneit është emëruar lideri i ri suprem i Iranit, sipas mediave shtetërore....

Irani ka emëruar Mojtaba Khamenein udhëheqësin e ri suprem të vendit, pas vrasjes së babait të tij, Ajatollah Ali Khamenei, në sulmet ajrore amerikano-izraelite më 28 shkurt.

Përzgjedhja e tij u bë nga Asambleja e Ekspertëve, prej 88 anëtarësh i klerikëve të lartë të zgjedhur që ka autoritetin për të emëruar udhëheqësin suprem të Republikës Islamike.
 
Ndërkohë  Irani ka lëshuar valën e parë të raketave nën udhëheqjen e liderit të ri suprem, Mojtaba Khamenei. Sipas medias shtetërore, bëhet fjalë për “valën e parë të raketave” të lëshuara drejt territoreve izraelite, në një zhvillim që shënon përshkallëzim të ri të konfliktit në Lindjen e Mesme.
 
Por, presidenti i ShBA-së, Donald Tramp, deklaroi se vendimi për kohën e përfundimit të luftës në Iran do të merret në koordinim me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanjahu. Sipas tij, Irani do ta kishte shkatërruar Izraelin dhe gjithçka përreth tij nëse nuk do të ishim ne dhe Izraeli.
 
“Ne punuam së bashku dhe shkatërruam një vend që donte të shkatërronte Izraelin”, u shpreh Trampi gjatë intervistës.
 
Ndërkohë i dërguari amerikan për Lindjen e Mesme, Stiv Uitkof dhe këshilltari Jared Kushner pritet të udhëtojnë në Izrael të martën. Ata do të zhvillojnë takime me kryeministrin Netanjahu për të diskutuar zhvillimet e fundit të konfliktit dhe hapat e ardhshëm diplomatikë. Vizita vjen në një moment kur tensionet në rajon mbeten të larta dhe komuniteti ndërkombëtar po kërkon mënyra për të ulur përshkallëzimin e konfliktit.