200 vjet pas Kongresit të Vjenës, Ballkani ende vend ku përplasen interesat e mëdha

05.06.2015 14:22

Universiteti i Evropës Juglindore në bashkëpunim me Ambasadën e Austrisë organizuan një konferencë shkencore në 200 vjetorin e Kongresit të Vjenës, vendimet e të cilit ndryshuan konturet e shteteve ballkanike...

Por, edhe 200 vite më pas, tensionet në Ballkan nuk janë ulur dhe interesat e shteteve të mëdha vazhdojnë ende të përplasen mbi vendet e Ballkanit Perëndimor. Ekspertët vlerësojnë se ShBA dhe BE duhet të garantojnë demokratizimin e këtyre vendeve dhe u pajtuan se në Ballkan ka interesa më të mëdha të cilave nuk u intereson stabiliteti i rajonit. Për sa i përket Maqedonisë, analistët vendor kërkojnë demokratizimin e shoqërisë nga brenda.

“Përveç SHBA-së dhe BE-së, në Ballkanin Perëndimor ka edhe interesa të vendeve të tjera, si  Rusia, Turqia, Arabia Saudite, Katari  e Kina, të cilat si kurrë më parë janë të involvuara këtu. Nuk them se këto vende duhet të largohen, por them se ato, për shkak të interesave të tyre, mund të ndikojnë negativisht ose të destabizojnë rajonin.  NATO dhe BE duhet t’i afrojnë vendet e Ballkanit Perëndimor,  të mos zbatojnë politikën të ashtuquajtur shuplakë, sepse kjo politikë ishte joadekuate në disa vende, e në veçanti në Maqedoni.  Vetëm anëtarësimi në NATO dhe BE do të demokratizojë shoqëritë e Ballkanit Perëndimor”- deklaroi profesori universitar, Lidija Vukadinoviç.

“Kriza është e madhe, edhe është humbur besimi tek institucionet, në elitën politike të zhytur në kriminalitet dhe afera korruptive. Ky regjim duhet të largohet në mënyrë që t’i jepet mundësia qytetarëve të Maqedonisë të zgjedhin demokracinë në vend të jodemokracisë, të zgjedhin mes kriminalitetit ose nderit. Pa marrë parasysh se cila parti vjen në pushtet, para së gjithash duhet zgjedhur demokracia, qytetaria dhe ndershmëria”- tha profesori universitar, Nano Ruzhin.

“Kemi organizuar këtë konferencë duke dhënë mesazhe të qarta për politikanët dhe qytetarët në Evropë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor”- theksoi organizatori i konferencës, Ylber Sela.

Organizatorët shpresojnë se vlerësimet e kësaj konference do t’u ndihmojnë qeverive ballkanike për të reflektuar në mënyrë që gjërat të ecin përpara, drejt një Ballkani Perëndimor tërësisht të integruar dhe të demokratizuar. (Rejhane Bushi-Metaj, TVM2)