Plenumi i Nxënësve ankohet për gabimet në testimin ekstern, QShP pret ankesat nga nxënësit dhe shkollat
Plenumi i Nxënësve të Shkollave të Mesme e ka cilësuar testimin ekstern si një nga reformat më të këqija arsimore të realizuara ndonjëherë...

Nga ky plenum thonë se gjatë testimit u vërejtën probleme teknike, detyra të formuluara gabimisht dhe pyetje jologjike. Nga plenumi thonë se në adresë të tyre kanë ardhur një numër i madh ankesash, megjithëse sot anëtarët e plenumit treguan para mediave vetëm dy ankesa.
“Kemi pyetje të parashtruara në gjuhën shqipe dhe përgjigje të dhëna në gjuhën maqedonase. Në dorën time të majtë kam fletën me pyetje të parashtruar në shqip, ndërsa përgjigjja është në anglisht. Duam ta pyesim ministrin e Arsimit, Abdylaqim Ademi, a duhej të duket kështu testimi dhe ku janë premtimet se nuk do të ketë parregullsi dhe probleme teknike”- deklaroi Aleksandar Mitevski nga Plenumi i Nxënësve.
Edhe pse nga plenumi këmbëngulin se pas shpalljes së rezultateve do të ketë edhe shumë ankesa deri te Qendra Shtetërore e Provimeve, nga kjo e fundit thonë se deri tani nuk kanë arritur ankesa, por gjithsesi se qendra do të marrë parasysh të gjitha ankesat e bazuara dhe për të njëjtat do të bëjë rregullimin e pikëve tek të gjithë nxënësit që do të parashtrojnë ankesë.
Nga QShP thonë se gabimet janë normale kur ka një volum kaq të madh pyetjesh, por ato nuk do të ndikojnë në rezultatet e nxënësve, pasi pyetjet eventuale me gabime do të llogariten si përgjigje të sakta nga nxënësit. (Flutura Latifi, TVM2)
