Ekonomi
Lufta në Iran dhe “kriza e naftës”, nga mesnata dizeli do të shtrenjtohet për 14.5 den
09.03.2026 13:43
KRrE njoftoi se çmimet me pakicë të derivateve të naftës rriten mesatarisht për 14.27%....

Lufta në Lindjen e Mesme ka reflektuar edhe në tregun e karburanteve në Maqedoninë e Veriut. Komisioni Rregullator për Energjetikë njoftoi se çmimet me pakicë të derivateve të naftës rriten mesatarisht për 14.27%.
Sipas vendimit të ri, nga 10 mars 2026, hyjnë në fuqi çmimet e reja të derivateve të naftës.
Komisioni Rregullator për Energjetikë:
- Benzinë motori EUROSUPER BS-95 – 79.50 denarë/litër
- Benzinë motori EUROSUPER BS-98 – 81.50 denarë/litër
- Dizel EURODIZEL BS (D-EV) – 85.50 denarë/litër
- Vaj për djegie Ekstra i lehtë (EL-1) – 82.50 denarë/litër
- Mazut M-1 SU – 42.586 denarë/kilogram
Sipas vendimit, benzina shtrenjtohet për 5 denarë, ndërsa dizeli për 14.5 denarë.
Nga Komisioni Rregullator për Energjetikë thonë se vendimi është marrë për shkak të rritjes së çmimeve të derivateve të naftës në tregjet botërore, si dhe për shkak të ndryshimit të kursit të denarit ndaj dollarit. Sipas tyre, këta faktorë, në përputhje me metodologjinë për përcaktimin e çmimeve, kanë ndikuar që çmimet me pakicë të rriten mesatarisht për 14.27%.
“Çmimet referente të derivateve të naftës në tregun botëror, në krahasim me përllogaritjen e mëparshme, shënojnë rritje te benzina mesatarisht 13.384%, te nafta rritja është mesatarisht 36.134%, te vaji ekstra i lehtë rritja është mesatarisht 32.102% dhe te mazuti rritja është mesatarisht 27.870%, me ç'rast në strukturën e çmimeve të derivateve të naftës është bërë përshtatje përkatëse. Kursi i denarit në raport me dollarin në periudhën e kaluar, mesatarisht është 52.8447 den/$ dhe është përafërsisht 0.9444% më i lartë se kursi i dollarit (52.3503 den/$), sipas të cilit janë formuar çmimet me përllogaritjen e mëparshme.”, - thanë nga KRrE.
Ekspertët apelojnë për diversifikim të furnizimit me energji.
“Ndoshta më të prekura do të jenë kompanitë industriale që përdorin gaz në ciklin e tyre të prodhimit ose karburante të lëngshme. Megjithatë, shpresoj se me diversifikimin e furnizimit me energji do të gjendet një mënyrë për t’u përshtatur me situatën e furnizimit. Mund të ndikohet edhe sektori i transportit, por përmes veprimit mbi akcizat dhe TVSh-në, çmimet mund të ulen ose të mbeten në nivele të arsyeshme, të pranueshme si për industrinë ashtu edhe për amvisëritë dhe qytetarët.”, - deklaroi profesori universitar, Anton Çaushevski.
Edhe pse autoritetet qetësojnë se nuk ka nevojë për panik, disa nga qytetarët kanë filluar që t’i mbushin rezervarët e karburantit deri në maksimum.
“Mbrëmë e mbusha, edhe sot do ta mbush motorin. Duket sikur pompat e benzinës mezi presin të ndodhë kjo, duke parë rritjet që kemi pasur deri tani.”, - tha një qytetar.
“Është hera parë që e mbush prej se ka filluar të rritet.”, - u shpreh një qytetar tjetër.
Dy ditë më parë, eksperti ndërkombëtar Nefail Emini për TVM2 theksoi se lufta në Lindjen e Mesme do të ketë pasoja në Maqedoninë e Veriut, veçanërisht në sektorin energjetik. Sipas tij, vendi është shumë i varur nga importi i naftës dhe gazit, prandaj ekziston rreziku i një krize energjetike. Ai sugjeroi që Qeveria të ulë tatimet dhe akcizat për energjinë, në mënyrë që të zbuten efektet dhe të mbahen çmimet më të përballueshme për qytetarët dhe bizneset.
ARMEND MURSELI
