Maqedoni

Vazhdon evakuimi i shtetasve tanë, Mucunski: Planifikohen edhe dy fluturime

09.03.2026 14:04

Autoritetet e vendit po vazhdojnë përpjekjet për kthimin e shtetasve nga zonat e rrezikut në Lindjen e Mesme....

Autoritetet e vendit po vazhdojnë përpjekjet për kthimin e shtetasve nga zonat e rrezikut në Lindjen e Mesme. Pas evakuimit të 151 personave nga Dubai, Qeveria dhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë po bëjnë përgatitjet e fundit që të mërkurën të realizojnë një tjetër fluturim drejt vendit me një numër të përafërt pasagjerësh. Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Timço Mucunski, bëri të ditur se në vendet e Lindjes së Mesme aktualisht ndodhen rreth 430 shtetas të RMV-së. Sipas tij, institucionet janë në kontakt të vazhdueshëm me ta dhe po e menaxhojnë situatën, ndërsa po shqyrtohet edhe mundësia për organizimin e një fluturimi të tretë nga mesi i kësaj jave. Ndërkohë, po punohet edhe për kthimin e shtetasve që aktualisht ndodhen në Bahrein, Katar dhe Kuvajt. Sipas planit, ata fillimisht do të transportohen drejt Arabisë Saudite, nga ku më pas pritet të aterojnë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, ndërsa më pas do të organizohet transporti i tyre drejt vendit.
 
“Për momentin, në këtë shtet janë evidentuar përafërsisht edhe 430 shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ndërkohë, gjatë kësaj jave nga Dubai janë parashikuar të organizohen edhe dy fluturime. Do të doja të theksoj se 14 shtetas të regjistruar për evakuim nuk u paraqitën mbrëmë në aeroportin e Dubait. Për një periudhë të shkurtër kohore, përfaqësuesit e përfaqësisë diplomatike-konsullore kontaktuan shtetas të tjerë tanë që ishin regjistruar më herët për evakuim, me qëllimin e vetëm që kapacitetet të shfrytëzohen plotësisht. Në Doha janë evidentuar 162 persona, prej të cilëve 89 kanë shprehur gatishmëri për evakuim. Në Kuvajt janë paraqitur 36 persona, në Bahrein 15, ndërsa në Arabinë Saudite 5 persona. Për ta është planifikuar dhe organizuar transporti deri në Rijad si pikë qendrore grumbullimi, nga ku gjatë kësaj jave do të organizohet fluturimi për kthimin e tyre në vendlindje.”, - deklaroi ministri i Punëve dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski.
 
Evakuimi i shtetasve nga këto vende është falas dhe shpenzohet nga Qeveria, ndërsa përparësi kanë fillimisht nënat me fëmijë, e më pas qytetarët dhe shtetasit e tjerë. Ministri Timço Mucunski theksoi se në situata të tilla krize, institucionet kanë për detyrë të ndihmojnë qytetarët.
 
“Së pari kanë përparësi nënat me fëmijë, më pas turistët, ndërsa nga disa vende është kërkuar që të evakuohen edhe shtetas të huaj për shkak të rrethanave specifike. Edhe në dy fluturimet e ardhshme pritet të ketë shtetas të huaj. Vendosëm që qytetarët të mos paguajnë për këtë proces. Është shumë e lehtë të kritikojmë nga shtëpia, por mos e dhëntë Zoti të gjendemi në një situatë të tillë. Qeveria dhe ministria, në kohë krize, janë këtu për të ndihmuar dhe nuk do të presin që shpenzimet të kompensohen.”, - theksoi ministri i Punëve dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski.
 
Fluturimi i djeshëm i organizuar çarter nga Emiratet e Bashkuara Arabe solli gjithsej 151 pasagjerë, shumica prej të cilëve janë shtetas të RMV-së. Një prej tyre është nga Mali i Zi, një nga Bosnja dhe Hercegovina, një nga Serbia, dy janë nga Kosova, ndërsa katër kanë shtetësi holandeze. Në ditët në vijim, linjat mbeten të hapura 24 orë për qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Çdo person që konsideron se ndodhet në rrezik ose në kushte të pasigurta dhe dëshiron të kthehet në vendlindje, do të mund të kontaktojë autoritetet, të cilat do të bëjnë gjithçka për organizimin e evakuimit të tyre.
 
REXHEP QAMILI