Rajon
Dekreti për shpërndarjen e Kuvendit, Haxhiu: Seanca e radhës pas vendimit të gjykatës
09.03.2026 14:25
Haxhiu e ka quajtur jo kushtetues dekretin e presidentes Vjosa Osmani Sadriu për ta shpërndarë Kuvendin.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e ka quajtur jo kushtetues dekretin e presidentes Vjosa Osmani Sadriu për ta shpërndarë Kuvendin. Ajo njëherësh sqaroi se nuk mund të thirret seancë e Kuvendit deri sa të merret vendimi i Gjykatës Kushtetuese, ndërsa shtoi se deputetët duhet t’i braktisin format që pamundësojnë konstituimin e institucioneve.
“Kushtetuta e Republikës së Kosovës parasheh rrethanat se kur shpërndahet Kuvendi i Republikës së Kosovës, prandaj në këtë aspekt nuk ka asnjë rrethanë që i jep të drejtën presidentes që pa kaluar afati 60 ditor dhe pa dështuar në zgjedhjen e presidentit të vendit ta shpërndajë Kuvendin e Republikës së Kosovës. Presidenca nuk është mbi Kuvendin e Kosovës, prandaj mendoj që këtij vendimi nuk duhet t’i gëzohej asnjë deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, sepse realisht është minim i punës së Kuvendit dhe minim i institucionit të Kuvendit të Republikës së Kosovës.”, - deklaroi kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Ditë më parë presidentja Osmani Sadriu i ka bërë thirrje Gjykatës Kushtetuese që ta trajtojë me urgjencë çdo çështje që ka të bëjë me këtë temë, duke mos lejuar, që, siç ka thënë ajo, qëllimet për zvarritje të dominojnë mbi interesin e Republikës së Kosovës. Nëse dekreti i presidentes për shpërndarjen e Kuvendit mbetet në fuqi edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, atëherë Kosova do të shkojë përsëri në zgjedhje.
GYLTENE SINANI
