Maqedoni
Komisioni për Sistem Politik, Ligji për Prokurorinë Publike në debat publik
09.03.2026 14:41
Anëtarët e Komisionit për Sistem Politik dhe marrëdhënie mes bashkësive u pajtuan për nevojën e debatit publik...

Anëtarët e Komisionit për Sistem Politik dhe marrëdhënie mes bashkësive u pajtuan për nevojën e debatit publik, sa i përket propozim-ligjit për Prokurorinë Publike, që është pjesë e pakos reformuese. Kryetari i Komisionit, Lupço Prenxhov, pret që këto ndryshime të sjellin vendime objektive dhe përshpejtimin e procedurave juridike. Kjo, sipas tij, do të kontribuojë në rritjen e besimit ndaj Prokurorisë Publike dhe sistemit juridik në përgjithësi.
“Sistemi i drejtësisë është një nga hallkat më të dobëta tek ne në sistemin politik, posaçërisht këtu dua të përmend Prokurorinë Publike. I madh është dyshimi, por ja, të jem më i drejtpërdrejtë, mosbesimi në Prokurorinë Publike është i madh. Për këtë vlerësohet se një nga reformat më të mëdha është miratimi i ligjit të ri për Prokurorinë Publike.”, - deklaroi kryetari i Komisionit për Sistem Politik, Lupço Prenxhov.
“Edhe ne si VLEN e mbështesim këtë nismë për debat publik rreth ligjit. Konsiderojmë shumë të rëndësishme këtë hallkë të gjyqësorit, i cili është vënë shumë shpesh në diskutim për shkak të besueshmërisë së ulët që ka pasur dhe defekteve në kohën e fundit.”, - theksoi Bekim Qoku nga VLEN.
“As rastësisht nuk duhet që ligji të kalojë në fazë tjetër pa debat publik dhe pa i dëgjuar komentet rreth ligjit.”, - u shpreh Sonja Mirakovska nga LSDM.
“Vlerësoj se edhe ky diskutim publik për Ligjin për Prokurorinë Publike mund ta shfrytëzojmë që të nxjerrim disa pika kryesore që do të mund ta përmirësojnë tekstin e propozuar të Ligjit për Prokurorinë Publike.”, - deklaroi Antonio Milloshoski nga VMRO-DPMNE.
Gjatë ditës së nesërme do të dihet se kur do të caktohet debat publik për këtë ligj. Nëpërmjet komunikimit të ndërsjellë me avokatë, prokurorë publikë, profesorë, përfaqësues të organizatave joqeveritare, do të mund të kontribuojnë në përgatitjen e amendamenteve në leximin e dytë. Ligji i ka kaluar të gjitha filtrat e Komisionit të Venecias, ndërsa do të miratohet me propozim të bashkësisë ndërkombëtare dhe Grekos.
FLORIJE KAMBERI
