Botë
SPAK-u kërkon arrestimin e Ballukut, Këshilli i Mandateve nuk jep autorizimin
09.03.2026 14:55
PS-ja nuk ia jep autorizimin SPAK-ut për arrestimin e Belinda Ballukut...

PS-ja nuk ia jep autorizimin SPAK-ut për arrestimin e Belinda Ballukut. Ky është qëndrimi përfundimtar i socialistëve në raportin e Këshillit të Mandateve që do t’i përcillet për votim Kuvendit.
“Që ne të ngremë dorën për të votuar kërkesën për arrest të Belinda Ballukut, duhet të kemi të paktën njërën nga arsyet që kemi pasur kur e kemi bërë këtë më parë. Nuk po them prova bindëse, por të paktën njërën nga arsyet që kemi pasur kur e kemi bërë këtë më parë.”, - deklaroi kryeministri, Edi Rama.
Në fjalimin para deputetëve socialistë, Rama tha se me këtë vendim mazhoranca ndihmon vetë drejtësinë.
“Na jep Kushtetua mundësinë që as të mos e humbim nga sytë dhe të kemi mundësi ta ndihmojmë viktimën më të madhe deri më sot të reformës në drejtësi, parimin e prezumimit të pafajësisë. Ky është qëndrim i prerë kundër dhënies së autorizimit për arrest ndaj një deputeteje. Është po kaq i rëndësishëm dhe parimor, siç është mbështetja ndaj drejtësisë. Mosdhënia e autorizimit për arrest nuk është trysni, por vetëm bërja e detyrës sonë.”, - theksoi kryeministri, Edi Rama.
Por, pavarësisht këtij vendimi dhe faktit që sipas tij Belinda Balluku nuk po hetohet as për vjedhje dhe as për korrupsion, por për shkelje të barazisë në tenderë, kreu i Qeverisë e kishte pa ekuivok thirrjen ndaj SPAK-ut.
“Prokuroria të shterojë çdo pistë për Ballukun, që të mund të çojë te korrupsioni. Nuk kam ndërmend dhe nuk më lejohet t'i mbaj pishën asnjë personi. Nuk kam jo e jo ndërmend ta shpall të pafajshme, apo të shkel për të vijën e kuqe dhe që vlen për të gjithë njësoj, duke e marrë në mbrojtje nga drejtësia. Le ta hetojnë deri në fund Belinda Ballukun. La ta ulin në gjyq për shkelje të barazisë në tenderë të bërë para 6 viteve, por të mos fyejnë inteligjencën tonë dhe të na thonë që ajo prish provat. Pastaj gjykata të vendosë si ta shoh atë arsyeshme, është plotësisht pushtet i pavarur. Ky është qëndrimi jonë, pikë.”, - u shpreh kryeministri, Edi Rama.
Në fund edhe vetë Ballukut ia bënë të qartë se nga tani e tutje është vetëm.
LULJETA NDOKA
