Botë
Lufta ShBA - Izrael me Iranin, zgjidhet lideri i ri suprem në Iran, vazhdojnë sulmet izraelite mbi Iran dhe Liban
09.03.2026 15:05
Pas disa ditësh përpjekjeje për emërimin e një udhëheqësi të ri shpirtëror në Iran Mojtaba Khamenei zgjidhet udhëheqësi i ri suprem....

Pas disa ditësh përpjekjeje për emërimin e një udhëheqësi të ri shpirtëror në Iran, më në fund djali i liderit të vrarë Ali Khameni, Mojtaba Khamenei, zgjidhet udhëheqësi i ri suprem. Hezbollahu e mirëpriti zgjedhjen, ndërsa për Uashingtonin, ky vendim është i papranueshëm. Presidenti i ShBA-së, Donald Tramp, thotë se kjo pozitë "nuk do të zgjasë shumë" sepse vendimi është marrë pa miratimin e ShBA-së. Teherani nga ana tjetër përgjigjet se askush nuk mund të ndërhyjë në punët e tyre të brendshme.
"Ne nuk lejojmë askënd të ndërhyjë në punët tona të brendshme. Zgjedhja e një udhëheqësi të ri varet nga populli iranian. Është puna jonë dhe e askujt tjetër. Nuk lejojmë askënd të ndërhyjë në punët tona.", - deklaroi ministri i Jashtëm iranian, Abas Aragçi.
Ndërkohë ushtria izraelite vazhdon sulmet në zemër të Iranit, duke shkatërruar ndërtesa banimi. Bombardimet izraelite kanë vazhduar edhe në Liban, me pretekstin se po shkatërrohen grupet pro-iraniane. Përfundimi i luftës do të jetë një vendim "i përbashkët" me Netanjahun, thonë nga Uashingtoni.
“Trupat detare kanë synuar me saktësi pesë komandantë të lartë të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike Libaneze dhe Palestineze në Bejrut. Ky është një grup terroristësh të betuar iranianë që janë përpjekur të minojnë sigurinë e Izraelit gjatë gjithë kohës.”, - theksoi zëdhënësja e Forcave të Mbrojtjes Izraelite, Efi Defrin.
"Ne po luftojmë për fitore. Ne po vendosim kushtet dhe do ta kuptojmë kur ata nuk do të jenë në gjendje të luftojnë. Do të ketë një pikë kur ata nuk do të kenë zgjidhje tjetër përveçse të dorëzohen.", - u shpreh sekretari i Mbrojtjes i ShBA-së, Pete Hegseth.
Teherani, në një mision hakmarrjeje për depot e shkatërruara të naftës, sulmoi burimet e energjisë në disa shtete të Gjirit: Në Bahrein të paktën 32 persona u plagosën pasi dronët iranian goditën zonën Sitra, pranë rafinerisë dhe një impianti uji. Në Qatar, shpërthime u raportuan në kryeqytetin Doha. Në Arabinë Saudite, raketat iraniane u drejtuan ndaj bazave të naftës; një pjese e tyre u rrëzuan nga mbrojtja ajrore. Në Emiratet e Bashkuara Arabe, sulme me raketa dhe dronë kanë goditur zona rreth Dubait dhe Abu Dabit. Ndërsa në Kuvajt, Irani sulmoi objektivat ushtarake dhe bazat ku ndodhen forca amerikane.
“Mbretëria e Arabisë Saudite e dënon dhe e refuzon me forcë agresionin e hapur iranian dhe shkeljen e rëndë të sovranitetit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Bahrainit, Katarit, Kuvajtit dhe Jordanit, duke paralajmëruar për pasoja serioze. Ne i bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar t’i dënojë këto sulme të qarta dhe të ndërmarrë masa të forta dhe të nevojshme për t’u përballur me shkeljet iraniane që minojnë sigurinë dhe stabilitetin e rajonit.”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Arabisë Saudite.
Për një deeskalim urgjent dhe ndërprerje të sulmeve kanë bërë thirrje Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Rusia, duke shprehur shqetësim të thellë për zhvillimin e situatës. Presidenti francez Emanuel Makron i bëri thirrje gjithashtu Iranit që të ndalojë menjëherë sulmet e tij ndaj vendeve në rajon dhe të garantojë lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.
FARIJE DAUTI BAKIJU
