Maqedoni
“Qyteti i Sigurt” në duart e Kushtetueses, të mërkurën do të vendoset për tre nismat
09.03.2026 15:15
Gjykata Kushtetuese të mërkurën do të vendosë për sistemin e sigurisë “Qyteti i Sigurt”....

Gjykata Kushtetuese të mërkurën do të vendosë për sistemin e sigurisë “Qyteti i Sigurt”. Në këtë seancë do të shqyrtohen tre iniciativat e dërguara: nga Zijadin Sela, Arben Taravari dhe një student i Fakultetit Juridik.
Në ankesën e Zijadin Sela thuhet se:
“Qytetarët detyrohen të kenë një numër personal telefoni, një adresë email-i, në mënyrë që të jenë të disponueshëm në rast të ndonjë shkeljeje, komunikimi elektronik nuk është në përputhje me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve dhe se sistemi zbatohet vetëm në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë.”.
Edhe nisma e kreut të ASh-së, Arben Taravari, thekson moszbatimin e ligjit në mbarë shtetin.
“Dispozitat e Ligjit nuk zbatohen në të gjithë territorin e vendit, por vetëm në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë. Kjo është në kundërshtim me Kushtetutën, pasi ligjet duhet të zbatohen në mënyrë të barabartë për të gjithë, pavarësisht rrethanave në të cilat jetojnë.”, theksohet në nismën e ASh-së.
Në të njëjtën vijë, edhe ankesa e studentit. Që të tre nismat janë bashkuar në një lëndë. Qytetarët do të kenë mundësi që drejtpërdrejtë të ndjekin debatin e Gjykatës Kushtetuese.
Që nga nisja e zbatimit të projektit më 1 shkurt, policia ka lëshuar 19 mijë dënime, 63% e tyre janë regjistruar në Shkup. Vetëm brenda një dite, kamerat kanë shkrepur rreth 706 shkelje. Pjesa më e madhe e shkeljeve janë për tejkalim të shpejtësisë, vijon nga drejtimi i makinave me dokumente të skaduara, si dhe kalim në semafor të kuq. Deri në fund të vitit edhe Manastiri do të jetë i mbikëqyrur nga “Qyteti i Sigurt”.
MERAL ISMAILI
