Botë
Kriza energjetike, BE ka rezerva nafte deri në 90 ditë
09.03.2026 15:43
Çmimi i naftës kalon çmimin prej 100 dollarëve për barel, impakt ky ekonomik i luftës në Iran....

Çmimi i naftës kalon çmimin prej 100 dollarëve për barel, impakt ky ekonomik i luftës në Iran. Bashkimi Evropian njofton se ka rezerva të mjaftueshme nafte për të përballuar një krizë të mundshme energjetike, ndërsa tensionet në Lindjen e Mesme vazhdojnë të rrisin pasigurinë në tregjet globale të energjisë.
Zëdhënësja Ana-Kaisa Itkonen deklaroi se të gjitha vendet anëtare kanë rezerva nafte ose ekuivalente karburanti të mjaftueshme për 85 deri në 90 ditë. Ajo theksoi se çdo shtet anëtar është i detyruar të njoftojë Komisionin në rast se vendos të përdorë rezervat strategjike, duke sqaruar se vende si Hungaria dhe Sllovakia kanë përdorur një pjesë të rezervave të tyre, por jo si pasojë e konfliktit në Lindjen e Mesme.
Ndërkohë, ministrat e Financave të vendeve të G7 pritet të zhvillojnë një takim urgjent për të diskutuar mundësinë e lirimit të përbashkët të rezervave të naftës në koordinim me Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë. Sipas burimeve të cituara nga Financial Times, disa vende të G7, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë shprehur tashmë mbështetje për një ndërhyrje të tillë. Analistët sugjerojnë se një lirim i koordinuar prej 300 deri në 400 milionë fuçish mund të ndihmonte në stabilizimin e tregut.
