Rajon
Osmani: Pas 4 prillit do të vendos për hapat politikë
10.03.2026 12:22
Osmani ka deklaruar se vendimin për të ardhmen e saj politike do ta marrë pas 4 prillit...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se vendimin për të ardhmen e saj politike do ta marrë pas 4 prillit, datë kur i përfundon mandati në krye të shtetit.
Osmani tha se deri në përfundim të mandatit do të vazhdojë ta ushtrojë detyrën e presidentes me përgjegjësi, ndërsa më pas do të bëjë një vlerësim për hapat e saj të ardhshëm në politikë. Ajo theksoi se vendimi i saj do të varet edhe nga zhvillimet aktuale politike në vend. Osmani komentoi edhe vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese për vendosjen e një mase të përkohshme lidhur me dekretin për shpërndarjen e Kuvendit, duke thënë se ky vendim krijon hapësirë për sqarimin e situatës politike.
E pyetur nëse do të vazhdojë të jetë aktive në politikë edhe pas përfundimit të mandatit, Osmani nuk dha një përgjigje të prerë, por tha se synimi i saj mbetet kontributi për vendin. Në fund, presidentja theksoi se interesi i shtetit duhet të jetë gjithmonë prioritet. “Duhet ta japim kontributin tonë me tërë qenien tonë dhe ta kemi interesin e vendit si parësor. Kjo është më e rëndësishmja.”, përfundoi Osmani.
