Botë
Eurokomisionerja Kos shtyn vizitën në Kosovë, për shkak të zhvillimeve politike
10.03.2026 13:51
Kos e ka shtyrë vizitën e saj të planifikuar në Kosovë...

Për shkak të zhvillimeve të fundit politike në Kosovë, komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, e ka shtyrë vizitën e saj të planifikuar në Prishtinë, e cila ishte paraparë më 12 mars. Këtë e ka konfirmuar zyra për media e Komisionit Evropian, duke theksuar se komisionerja e ka njoftuar kryeministrin Kurti.
“Gjatë një bisede telefonike me kryeministrin Albin Kurti, komisionerja Kos i tha atij se do ta shtynte udhëtimin e saj të planifikuar në Kosovë, për shkak të zhvillimeve të fundit politike.”, ka bërë të ditur zyra për media e Komisionit.
Sipas këtij njoftimi, Kos synon të udhëtojë në Prishtinë në momentin e parë të mundshëm. Kjo do të ishte vizita e saj e parë në Kosovë në cilësinë e komisioneres për Zgjerim, pasi Kosova është vendi i vetëm që Kos nuk e ka vizituar ende që nga dhjetori i vitit 2024, prej kur e drejton Departamentin e Zgjerimit në Komisionin Evropian. Ajo në vitin 2025, nuk e vizitoi Kosovën, po ashtu për shkak të krizës institucionale.
Shtyrja e vizitës së saj në Kosovë vjen një ditë pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur masë të përkohshme ndaj dekretit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për të shpërndarë Kuvendin, meqë më 5 mars Kuvendi nuk arriti ta zgjedhë presidentin e ri të shtetit. Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, masa e përkohshme vlen deri më 31 mars, deri kur presidentja Osmani nuk mund të shpallë datën e zgjedhjeve, ndërsa Kuvendi nuk mund të thërrasë seancë.
GYLTENE SINANI
