Maqedoni
Kuvend, propozim-ligji për Prokurori Publike kaloi fazën e parë
10.03.2026 14:08
Propozim-ligji për Prokurori Publike kaloi filtrin e parë në Kuvend....

Propozim-ligji për Prokurori Publike kaloi filtrin e parë në Kuvend. I njëjti parashikon betejë më cilësore kundër krimit dhe korrupsionit, profesionalizëm të prokurorëve dhe besim më të lartë të qytetarëve në këtë institucion. Ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov, theksoi se ndër vite janë shtresuar hetime të ngadalta dhe dyshime për ndikime, llogaridhënie e pamjaftueshme, kritere të paqarta për avancim, si dhe mospasje besim në masat disiplinore. Tani, sipas tij, përzgjedhja e kryeprokurorit do të jetë publike, ndërkohë që ngushtohet harku kohor i zbardhjes së shkeljeve.
“Me këtë sigurohet besim më i madh publik dhe llogaridhënie në procesin e përzgjedhjes së prokurorit. Vendoset procedurë më e qartë, më objektive dhe më efikase. Bëhet radhitja e shkeljeve disiplinore në varësi nga serioziteti dhe pasojat e shkeljeve. Komisioni disiplinor duhet ta përfundojë procedurën në afat prej gjashtë muajve apo për nëntë muaj për raste më të komplikuara.”, - deklaroi ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov.
Me vlerësimin e ministrit nuk u pajtua deputetja opozitare e PRSD-së, Sonja Mirakoska, pasi, sipas saj, nuk bëhet fjalë për reforma thelbësore. Ajo theksoi se po fuqizohet roli i prokurorit publik duke margjinalizuar Këshillin e Prokurorëve Publik.
“Ju tani po vendosni hierarki të fuqishme. Fillimisht, sipas mënyrës se si zgjidhet prokurori publik, me margjinalizimin e rolit të Këshillit të Prokurorëve Publikë, e duke rritur rolin e Prokurorit Publik, i cili organizon mbikëqyrjen, merr lëndë, sjell rregullore, merr vendime financiare, praktikisht roli i tij bëhet më i madh dhe më i gjerë.”, - theksoi deputetja e PRSD-së, Sonja Mirakoska.
Por, shumica konsideron se ligji është bazë e mirë për krijimin e sistemit funksional gjyqësor.
“Prokurorët publikë duhet të japin llogari për punën e tyre, pasi ata në ligjet paraprake nuk kanë dhënë llogari dhe kanë bërë çfarë kanë dashur. Prokuroria Publike nuk është pjesë e pushtetit gjyqësor, por është palë në procedurat gjyqësore.”, - u shpreh deputeti i VMRO-DPMNE-së, Malisha Stankoviq.
Deputetët do të kenë mundësi që nëpërmjet amendamenteve ta korrigjojnë propozim-ligjin në komisionin amë. Gjatë përpilimit korniza ligjore është ngritur në konsultim më ekspertë, sektorin joqeveritar, rekomandimet e OSBE-së dhe BE-së.
MERAL ISMAILI
