IS-i ndalon rrjedhën e lumit Eufrat

05.06.2015 15:26

Grupi militant i “Shtetit Islamik” ka mbyllur disa diga të lumit Eufrat në afërsi të Ramadit, duke zvogëluar kështu rrjedhjen jetike të ujit në zonat që po kontrollohen nga trupat qeveritare...

Ky veprim i militantëve kërcënon të lërë pa ujë të pijshëm mijëra banorë të zonës dhe trupat irakiane. Gjithashtu një gjë e tillë përbën kërcënim për forcat e sigurisë, të cilët po luftojnë për të rimarrë nën kontroll qytetin e Ramadit.

Nëse niveli i ujit bie, kryengritësit mund ta kalojnë Eufratin në këmbë dhe të sulmojnë përgjatë lumit, duke iu afruar shumë bazës ushtarake të Habanijas. Në këtë bazë është përdorur si vend për stërvitje për trupat irakiane dhe milicive shiite në luftën e tyre për të rimarrë Ramadin.

Kjo nuk është hera e parë që grupi ekstremist “Shteti Islamik” përdor ujin si armë. Më herët, gjatë këtij viti, ata kishin pakësuar furnizimet me ujë në qytetin e Falluxhas. Kombet e Bashkuara janë duke kërkuar të dhëna të tjera për të konfirmuar reduktimin e ujit nga diga al-Uarar”.

“Përdorimi i ujit si mjet i luftës është veprim që dënohet pavarësisht rrethanave”- thonë nga OKB, duke e quajtur shqetësues veprimin e tillë.