Botë

Lufta në Iran, Tramp: Mund të përfundojë shumë shpejt

10.03.2026 14:19

Një kthesë e papritur ndodhi në tregjet ndërkombëtare....

Një kthesë e papritur ndodhi në tregjet ndërkombëtare. Çmimi i naftës ra nën 90 dollarë për fuçi pasi presidenti amerikan Donald Tramp e quajti luftën në Iran “pothuajse të përfunduar”. Ndërkohë që ShBA-ja përpiqet të rikthejë rrjedhën e naftës në tregjet botërore, Teherani paralajmëron se po pret flotën amerikane në Ngushticën e Hormuzit. Autoritetet iraniane mohojnë se lufta është drejt fundit. Çmimet globale të naftës ranë pasi ministrat e Financave të vendeve të G7 njoftuan se, nëse është e nevojshme, do të lirojnë naftë nga rezervat strategjike.
 
“Ne ramë dakord të përdorim të gjitha mjetet e nevojshme për stabilizimin e tregut, nëse do të jetë e nevojshme, përfshirë edhe lirimin e rezervave të naftës. Puna do të vazhdojë në ditët në vijim.”, - deklaroi ministri i Financave, i Francës, Roland Leskure.
 
Sipas Trampit, lufta mund të përfundojë pasi objektivat në Iran janë pothuajse të arritura. Ai paralajmëroi Teheranin se do të përballet me sulme edhe më të ashpra nëse pengon qarkullimin në Ngushticën e Hormuzit.
 
“Besoj se lufta është pothuajse e përfunduar. Gjithçka që kishin është zhdukur, përfshirë edhe udhëheqjen e tyre. Jemi shumë përpara afatit fillestar. Ndërsa vazhdojmë operacionin, jemi të fokusuar edhe në ruajtjen e rrjedhës së energjisë dhe naftës në botë. Nuk do të lejoj që regjimi terrorist ta mbajë botën peng, dhe nëse përpiqen ta bëjnë këtë, do të goditen edhe më fort.”, - theksoi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
 
Autoritetet iraniane mohojnë se lufta është afër fundit dhe thonë se janë të gatshëm të luftojnë për aq kohë sa të jetë e nevojshme.
 
“Kjo është një nga narrativët e rremë që prodhon qeveria amerikane. Ushtria iraniane është e fortë. Ne kemi armët që na duhen, të prodhuara në Iran. Nuk jemi të varur nga asnjë vend tjetër për armatime. Jemi të përgatitur për një luftë të gjatë. Nuk shohim hapësirë për diplomaci.”, - u shpreh këshilltari për Politikën e Jashtme, Kamal Kharrazi.
 
Ndërkohë, sulmet nëpër Iran kanë vazhduar. Hezbollahu tha se do të vazhdojë të mbrohet nga sulmet izraelite me çdo kusht, ndërsa Tel Avivi shënjestron grupet pro-iraniane në Liban.
 
“Ne do t'i mundësojmë popullit iranian të çlirohet nga zgjedha e tiranisë, në fund të fundit kjo varet prej tyre. Nuk ka dyshim se nëpërmjet aktiviteteve të ndërmarra deri më tani po ua copëtojmë kockat edhe ende jemi aktiv.”, - theksoi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
 
Drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, Rafael Grosi, tha se rreth gjysma e uraniumit të pasuruar të Iranit ndodhet në depot e Isfahanit, të cilat kanë mbetur kryesisht të paprekura nga bombardimet. Ndërkohë, Kuvajti dhe Arabia Saudite raportuan përsëri për dronë dhe raketa iraniane të kapura dhe të neutralizuara.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU