Kontrolle në pikat e karburantit, IShT: Nuk u konstatuan fshehje të derivateve

10.03.2026 15:00

Nuk është konstatuar fshehje e derivateve të naftës...

Nuk është konstatuar fshehje e derivateve të naftës, treguan kontrollet e Inspektoratit Shtetëror të Tregut të kryera gjatë tre deri katër ditëve të fundit. Drejtori i këtij Inspektorati, Vllatko Stojkoski, tha se brenda kësaj periudhe janë kryer mbi 300 mbikëqyrje inspektuese në shumë pika karburanti dhe sipas konstatimeve të tyre, disa pika kishin shpenzuar sasitë e grumbulluara të derivateve për shkak të interesimit të madh të qytetarëve.

IShT-ja vazhdon mbikëqyrjen inspektuese edhe në qindra pika karburanti, por jo vetëm; ata paralajmërojnë kontrolle edhe tek tregtarët për shkak të mundësisë së rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore.

“Është evidentuar se 30 pika karburanti i kanë shpenzuar sasitë e grumbulluara të derivateve dhe kanë ndërprerë furnizimin me derivate për 2-3 deri në katër orë. Kështu ka qenë gjendja gjatë dy-tre ditëve të fundit. Nga sot, Inspektorati Shtetëror i Tregut ka formuar një ekip, po përpilojmë një plan operativ dhe do të ketë mbikëqyrje inspektuese jo vetëm tek pikat e karburanteve, por edhe tek marketet, distributorët dhe importuesit e ushqimeve.”, - theksoi drejtori i IShT-së, Vllatko Stojkoski.

Kryeministri Hristijan Mickoski siguroi se situata me derivatet e naftës po vëzhgohet vazhdimisht dhe, në varësi të zhvillimeve, Qeveria do të ndërhyjë. Ai vlerësoi se nuk ka nevojë për gjendje krizash, pasi në vend ka sasi të mjaftueshme të derivateve, ndërsa çmimi i tyre është më i lirë në rajon.

Për ditën e mërkurë, Mickoski paralajmëroi se do të takohet me përfaqësuesit e zinxhirëve të supermarketeve dhe me tregtarët me pakicë dhe me shumicë, për t’u bërë të qartë se nuk duhet të shfrytëzohet presioni aktual i çmimit të naftës për rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore.

“Presim presione edhe gjatë periudhës që vijon. Ne kemi sasi të mjaftueshme të derivateve dhe po bisedojmë me distributorët dhe kompanitë që furnizojnë qytetarët dhe ekonominë me derivate të naftës dhe mazut. Për momentin nuk ka rrezik nga ndonjë mungesë. Ne si Qeveri vazhdojmë të mbikëqyrim gjendjen. Lajmi i mirë, kushtimisht i thënë, është se çmimet në berzat botërore janë në rënie. Nëse dje arritën kulmin prej 120 dollarë për barel, sot tregtohen rreth 90 dollarë për barel. E mbikëqyrim gjendjen, dhe, në varësi të zhvillimeve të fundit, ashtu do të reagojmë.”, - u shpreh kryeministri, Hristijan Mickoski.

Ka reaguar opozita shqiptare dhe ajo maqedonase. LSDM pyet se kush po përfiton nga rritja ekstreme e çmimeve të derivateve të naftës, ndërkohë që BDI ka propozuar një sërë masash urgjente, që, sipas tyre, duhet të ndërmerren përmes Kuvendit dhe institucioneve kompetente për stabilizimin e çmimeve të naftës dhe zbutjen e goditjeve ekonomike ndaj qytetarëve.

“Pse janë shtrenjtuar çmimet, kur ka rënie në berzat botërore. Me rritjen e tanishme qytetarët paguajnë mbi 3 milionë euro në bazë javore më shumë.  Po parashtrohet pyetja kush ka interes nga ky shtrenjtim  dhe ku përfundojnë këto para.”, - deklaroi Bogdanka Kuzevska nga LSDM.

“I bëjmë thirrje Komisionit Rregullator për Energjetikë që të rishqyrtojë vendimin për rritjen e çmimeve të derivateve, duke filluar nga dita e sotme. Po ashtu, duke iu referuar deklaratave se shteti disponon rezerva të naftës për rreth 62 ditë, BDI kërkon që këto rezerva të hidhen menjëherë në treg me çmim maksimal prej 71 denarë për litër, duhet theksuar se këto sasi janë blerë me çmime edhe më të ulëta.”, - u shpreh Albana Mustafa nga BDI.

Për shkak të rritjes së çmimit të derivateve të naftës të shpallur nga KRrE-ja të hënën, në shumë pika karburanti u krijuan rrëmujë dhe radhë të gjata, pasi qytetarët përpiqeshin të blinin derivate me çmimin e vjetër. (Rexhep Qamili, TVM2)