Maqedoni
Sela: Qeveria po tenton të bllokojë Korridorin 8
10.03.2026 15:35
Sela ka deklaruar se, informacionet që kanë, flasin se Qeveria mundohet që t’i ndalë punimet që kanë nisur rreth Korridorit 8...

Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, në një konferencë për shtyp, ka deklaruar se informacionet të cilat i posedon ky subjekt politik, tregojnë se Qeveria bllokon Korridorin 8 dhe në vend të kësaj planifikon të lidhë Ohrin me Manastirin me Korridorin 10D. Sipas tij, informacionet që kanë flasin se Qeveria mundohet që t’i ndalë punimet që kanë nisur rreth Korridorit 8 dhe punimet të vazhdojnë në drejtim të ndërtimit të segmentit Ohër – Manastir, Manastir – Prilep, që t’i hapet rrugë botës serbe dhe qasjes së Rusisë në Ballkanin Perëndimor.
“Burimet e sigurta brenda Qeverisë për ne flasin që Qeveria nëpërmes këtij kushtëzimi financiar po mundohet që të devijojë dhe të ndalojë punimet që kanë të bëjnë me Korridorin 8 dhe në këtë formë të përjashtojë nga këto projekte infrastrukturore gjithë Pollogun, të përjashtojë lidhjen e Tetovës, të Gostivarit, Kërçovës dhe Strugës. Informacionet tona flasin që Qeveria mundohet që t’i ndalë punimet që kanë nisur rreth Korridorit 8 dhe punimet të vazhdojnë në drejtim të ndërtimit të segmentit Ohër – Manastir, Manastir – Prilep, në mënyrë që direkt të bëhet lidhja me Korridorin 10D. Qartazi shihen tendencat për ta anashkaluar dhe për ta lënë pa ndërtuar Korridorin 8 dhe me këtë të jetësohet dhe t’i hapet rrugë botës serbe dhe qasjes direkte të Rusisë në Ballkanin Perëndimor.”, - deklaroi lideri i ASh-së, Ziadin Sela.
Zekolli i hedh poshtë këto pretendime të Selës
Por, i menjëhershëm ka qenë reagimi nga ana e zëvendësministres për Transport dhe Lidhje, Kaltrina Zekolli Shaqiri, ku sipas saj, pretendime të tilla nuk përputhen me të dhënat zyrtare dhe nuk reflektojnë gjendjen reale të projektit. Sipas saj, planprogrami i Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore për vitin 2026 parasheh rreth 103 milionë euro për projektet e Korridorit 8 dhe Korridorit 10D.
“Ky fakt dëshmon qartë se nuk bëhet fjalë për reduktim të mjeteve, por për vazhdim të realizimit të projektit në përputhje me planifikimin financiar dhe operacional. Korridori 8, së bashku me Korridorin 10D, mbetet një ndër projektet më të rëndësishme strategjike dhe infrastrukturore për vendin. Trasa e projektuar nga Qeveria e kaluar nuk ka qenë e verifikuar në raport me kufizimet që lidhen me zonat e mbrojtura nga UNESCO.”, - u shpreh zëvendësministrja për Transport dhe Lidhje, Kaltrina Zekolli Shaqiri.
Në fund, Zekolli Shaqiri theksoi se përpjekjet për ta paraqitur projektin si të bllokuar apo të rrezikuar nuk qëndrojnë përballë fakteve. Sipas saj, faktet dhe të dhënat zyrtare janë të qarta: projekti po vazhdon sipas planit dhe mbetet prioriteti kryesor infrastrukturor i shtetit.
FITIM KRYEZIU
