Maqedoni
Qeveri, Nenad Saveski propozohet për kryeprokuror
10.03.2026 15:56
Qeveria ka vendosur që në Kuvend të dorëzojë propozimin për zgjedhjen e Nenad Saveskit si Prokuror të ri Publik të Shtetit....

Qeveria ka vendosur që në Kuvend të dorëzojë propozimin për zgjedhjen e Nenad Saveskit si Prokuror të ri Publik të Shtetit. Vendimi është marrë në mbledhjen e rregullt të Qeverisë, pasi u shqyrtua edhe mendimi i Këshillit të Prokurorëve Publikë lidhur me procedurën për zgjedhjen e prokurorit të ri shtetëror. Sipas Qeverisë, propozimi është bërë duke u bazuar në parimet e profesionalizmit, integritetit dhe ekspertizës, si dhe në përkushtimin ndaj sundimit të ligjit. Nenad Saveski aktualisht është gjyqtar në Gjykatën Themelore Penale në Shkup, në departamentin për krim të organizuar dhe korrupsion, ndërsa më herët ka punuar edhe si prokuror publik në Prokurorinë Themelore Publike.
“Propozimi që Qeveria i dërgon Kuvendit bazohet në vlerësime profesionale dhe mendime të paraqitura nga Këshilli i Prokurorëve Publikë, si dhe në një analizë të kujdesshme të integritetit profesional, përvojës dhe rezultateve të deritanishme të kandidatit. Në këtë drejtim, u vlerësua se kandidati i propozuar i posedon cilësitë e nevojshme profesionale dhe personale. Qeveria vlerëson se kandidati i propozuar do të kontribuojë në forcimin e kapacitetit institucional, përmirësimin e standardeve profesionale dhe rritjen e besimit të publikut.”, - deklaroi zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva.
Përveç përvojës profesionale brenda vendit, Nenad Saveski gjatë karrierës së tij ka bashkëpunuar me institucione dhe organizata relevante kombëtare dhe ndërkombëtare, duke kontribuar në shkëmbimin e praktikave të mira dhe në harmonizimin e standardeve të sistemit të drejtësisë me parimet bashkëkohore evropiane të sundimit të ligjit. Nga Qeveria thonë se zgjedhja e Prokurorit Publik të Shtetit është një çështje me rëndësi të veçantë për kredibilitetin e gjithë sistemit të drejtësisë. Propozimi tani i dërgohet Kuvendit, i cili duhet të vendosë me 61 vota për zgjedhjen e Prokurorit të ri të Shtetit. Në garë për këtë post ishin edhe Anita Topollova Isajllovska, ushtruese e detyrës së prokurorit shtetëror, prokurorja Lidija Raiçeviq dhe Lençe Ristoska.
FLORIJE KAMBERI
