Projektet e reja në Saraj, shtatorja e Isa Boletinit dhe “Kulla shqiptare”

05.06.2015 15:44

Vendosja e shtatores së Isa Boletinit dhe ndërtimi i “Kullës shqiptare”, ky është projekti i rikonstruimin të sheshit të Sarajit, të cilin e prezantoi sot kryetari i kësaj komune, Bekim Murati, projekt i cili arrin vlerën e 18 milion denarëve...

Ai theksoi se për komunën dhe për banorët e Sarajit është një kënaqësi dhe nder i veçantë vendosja e shtatores së Isa Boletinit, duke pasur parasysh kontribut e tij kombëtar për të gjitha trojet shqiptare.

“Bëhet fjalë për  rikonstruimin e sheshit aktual, ku parashihet të vendosen përveç shtatores së Isa Boletinit, të vendoset edhe e ashtuquajtura kulla tradicionale shqiptare, e cila sipër do të ketë simbolin tonë kombëtar, plisin. Punimet e sheshit të Sarajit do të fillojnë brenda muajit të ardhshëm. Kostoja e përgjithshme e rikonstruimit të sheshit arrin vlerën diku rreth 18 milion denarë”- deklaroi kryetari i Komunës së Sarajit, Bekim Murati.

Zëvendëskryeministri, Musa Xhaferi, theksoi se e mbështet plotësisht Komunën e Sarajit për këtë iniciativë për rikonstruimin dhe vendosjen e shtatores së Isa Boletinit në Komunën e Sarajit.

“Nuk duhet të jetë ndonjë preokupim pse do të ketë shpenzime, për arsye se në atë shesh do të shëtitën, do të komunikojnë, do të takohen të gjitha gjeneratat, do të organizohen manifestime tradicionale, do të mburren të  gjithë  që do të jetë përmendorja e Isa Boletinit, një ndër figurat qendrore bashkë me Ismail Qemalin të asaj periudhe”- tha zëvendëskryeministri, Musa Xhaferi.

Shtatorja e Isa Boletinit pritet të vendoset më 28 nëntor, ndërsa vendosja e përmendores së Isa Boletinit në Saraj është në pjesën e agjendës së aktiviteteve që po të zhvillohen në Shqipëri dhe Kosovë, për rivarrosjen e eshtrave të heroit, Isa Boletinit, në Boletin të Mitrovicës. (Ersan Pajaziti, TVM2)