Maqedoni

Aktivitetet e Ministrisë së Ekologjisë, Dita Ndërkombëtare e Mjedisit Jetësor: “7 miliardë ëndrra-një planet, përdoreni me vetëdije”

05.06.2015 16:03

Me rastin e 5 qershorit,¬ Ditës Botërore për Mbrojtjen e Mjedisit Jetësor...

Me rastin e 5 qershorit,¬ Ditës Botërore për Mbrojtjen e Mjedisit Jetësor, Fondacioni "Konrad Adenauer" dhe Shoqata Ekologjike "Gou Grin" organizuan konferencë "Zbulojeni potencialin tuaj ripërtërirës".
 
Konferenca kishte si qëllim stimulimin e vetëdijes qytetare për mbrojtjen e planetit në të cilin jetojmë. Dhe stimulimi fillon padyshim prej më të rinjve, të cilët duhet të mësojnë të ruajnë ambientin, pasi nuk kemi tjetër. 
 
Ministria e Ekologjisë, ndërkohë, shpalosi sot aktivitetet që do të zgjasin më shumë, pasi për ambientin jetësor nuk mjafton vetëm një ditë. Të hënën kjo ministri organizon edhe një konferencë për ndryshimet klimatike në bashkëpunim me ambasadën amerikane në Shkup.
 
“Përpos aktiviteteve të tjera që ne kemi nën mbrojtje të ambientit, i kemi dhënë prioritet kësaj konference për arsye se në fund të këtij viti, në nëntor, do mbahet konferenca ndërkombëtare në Paris për ndryshimet klimatike, kështu që kjo konferencë që do të mbahet ditën e hënë për ndryshimet klimatike. Konferenca e dytë do të jetë në vazhdën e këtyre aktiviteteve”- deklaroi ministri i Ekologjisë, Nurhan Izairi.
 
Dita Botërore e Mjedisit Jetësor është pranuar dhe festohet në më shumë se 100 shtete. Sivjet motoja është "Shtatë miliardë ëndrra.
 
Një planet. Përdoreni me vetëdije". Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rezultohet se një e treta e gjithë sëmundjeve tek fëmijët dhe adoleshentët, në moshat 0-19 vjeç, ndodhë për shkak të faktorëve mjedisor. Jo vetëm sëmundjet, por edhe planeti tokë rrezikon të shkatërrohet nga ndotjet e mëdha që shkaktojnë ngrohjen globale, shkrirjen e akujve në botë.
 
Dita Ndërkombëtare e Mjedisit është caktuar në vitin 1972 nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, me qëllim për të shtuar vetëdijen rreth çështjeve të mjedisit dhe për të tërhequr vëmendjen politike ndaj këtyre çështjeve, si dhe për të nxitur veprimin individual në këtë drejtim.
 
Në të kaluarën, tema të kësaj dite kanë qenë kujdesi për tokën dhe ujin, mbrojtja e shtresës së ozonit, ndryshimet klimatike dhe zhvillimi i qëndrueshëm, duke pasur gjithnjë në fokus ruajtjen e shëndetit human. 
 
FARIJE DAUTI-BAKIJU