Rajon
Raporti i Terras: Viti 2025, një vit i humbur për Kosovën
11.03.2026 11:58
Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, ka përpiluar draft-raportin për Kosovën...

Është publikuar draft-raporti për Kosovën i përpiluar nga raportuesi në Parlamentin Evropian, Riho Terras, në të cilin thuhet se viti 2025 u karakterizua nga një ngërç i gjatë politik, i cili ndikoi negativisht në funksionimin e institucioneve. Në raport theksohet se, megjithëse mirëpritet formimi i institucioneve të reja pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, periudha e gjatë e bllokimit institucional u konsiderua një “vit i humbur” për Kosovën. Raporti vëren gjithashtu se Kuvendi nuk arriti të zgjedhë një president të ri brenda afatit kushtetues, gjë që e shtyu vendin drejt zgjedhjeve të reja dhe çoi në shpërndarjen e Kuvendit me dekret presidencial në mars 2026.
“Parlamenti Evropian mirëpret formimin e Kuvendit dhe Qeverisë së re të Kosovës më 12 shkurt 2026, pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura në dhjetor 2025 dhe pas më shumë se një viti ngërçi politik; megjithatë shpreh keqardhje për procesin politik të paralizuar gjatë vitit 2025 që rezultoi në një ‘vit të humbur’ për Kosovën; shpreh më tej keqardhje për dështimin e Kuvendit për të zgjedhur një President të ri brenda afatit kushtetues, duke e shtyrë kështu vendin drejt zgjedhjeve të reja; merr në dijeni shpërndarjen e Kuvendit me dekret presidencial më 6 mars 2026.”, thuhet në raport.
Raporti rithekson mbështetjen për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, i dorëzuar në dhjetor 2022. Në këtë kontekst, u bëhet thirrje pesë shteteve anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën të lëvizin drejt njohjes së saj, në mënyrë që vendi të mund të avancojë në procesin integrues në kushte të barabarta me vendet e tjera kandidate. Po ashtu, Parlamenti Evropian i kërkon Kosovës të përshpejtojë zbatimin e reformave të lidhura me BE-në, sidomos në fushën e sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së lirive themelore. Në planin ndërkombëtar, raporti konfirmon mbështetjen për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe për përfshirjen e saj në programin e NATO-s “Partneriteti për Paqe”. Raporti njëherësh thekson edhe rëndësinë e angazhimit konstruktiv të Kosovës dhe Serbisë për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme për normalizimin, bazuar në njohjen reciproke dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Drafti për Kosovën do të diskutohet në Komitetin për Politikë të Jashtme javën e ardhshme, ndërsa më vonë gjatë vitit do të votohet në seancën plenare, ku do të marrë edhe versionin përfundimtar të Rezolutës së Parlamentit Evropian.
GYLTENE SINANI
