Situata në Lindjen e Mesme, evakuohen 153 shtetas të RMV-së
11.03.2026 13:59
Një grup i ri shtetas maqedonas sonte priten të kthehen me një fluturim të veçantë të organizuar nga Qeveria....

Një grup i ri shtetas maqedonas, që kanë aplikuar për evakuim nga Lindja e Mesme, sonte priten të kthehen me një fluturim të veçantë të organizuar nga Qeveria. Sipas informacioneve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, ky grup i ri do të përbëjë 153 udhëtarë, prej tyre 96 nga Katari, 33 nga Kuvajti, 15 nga Bahreini dhe 9 nga Arabia Saudite. Ata do të kthehen me fluturim të veçantë nga aeroporti i Riadit dhe do të aterrojnë në aeroportin e Prishtinës sonte rreth orës 11:00 të mbrëmjes, nga ku Qeveria ka organizuar transportin e tyre deri në Shkup.
E gjithë organizimi i fluturimeve, përfshirë të gjitha kostot e lidhura, mbulohen nga Qeveria. Më parë ishte organizuar transport me autobus për shtetasit maqedonas nga Kuvajti, Katari dhe Bahreini deri në aeroportin në Riad.
Nga ministria theksojnë se organizimi i fluturimit dhe të gjitha shpenzimet e lidhura me të mbulohen nga Qeveria përmes MPJ-së dhe Tregtisë së Jashtme.
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, më herët tha se evakuimi i qytetarëve të Maqedonisë së Veriut nga vendet e rajonit po realizohet në mënyrë të koordinuar dhe se pritet të përfundojë deri në fund të javës, ndërkohë lista prioritare bëhet në atë mënyrë ku nënat dhe fëmijët kanë fillimisht përparësi për evakuim dhe më pas edhe kategoritë e tjera.
Ndërkohë, dje në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit mbërriti grupi i dytë i qytetarëve që u evakuuan nga Dubai, duke u larguar nga zonat e luftës në Lindjen e Mesme. Në atë fluturim arritën gjithsej 150 pasagjerë, prej të cilëve 125 ishin shtetas të Maqedonisë së Veriut, ndërsa të tjerët shtetas të disa vendeve të rajonit dhe Evropës.
Sipas të dhënave të ministrisë, aktualisht në Emiratet e Bashkuara Arabe ndodhen rreth 200 shtetas të tjerë të Maqedonisë së Veriut, por deri tani ata nuk kanë kërkuar evakuim. Qeveria në çdo kohë u qëndron në gatishmëri për t’i kthyer po që se shprehin dëshirë.
REXHEP QAMILI
