Maqedoni
Nikolloski: ShBA, partneri strategjik numër një i Maqedonisë
11.03.2026 14:14
Nikollovski ka zhvilluar takime pune në Departamentin e Shtetit Amerikan...

Zëvendëskryeministri Aleksandar Nikolloski po qëndron për një vizitë zyrtare në ShBA, ku mes tjerash Nikollovski ka zhvilluar takime pune në Departamentin e Shtetit Amerikan, ku është diskutuar për partneritetin strategjik midis Maqedonisë dhe Shteteve të Bashkuara, me theks të veçantë në lidhjet politike dhe ekonomike. Në takimin me Daniel Laëton, zëvendës ndihmës sekretar i Shtetit për Evropën, u theksua partneriteti i fortë midis dy vendeve, i bazuar në mbështetjen e ndërsjellë dhe angazhimin e përbashkët ndaj vlerave demokratike dhe krijimin e perspektivave më të mira për bashkëpunim ekonomik dhe tregtar.
"Diskutuam thellimin e lidhjeve politike dhe ekonomike midis dy vendeve, si dhe partneritetin strategjik që ndajmë, diskutuam bashkëpunimin në NATO në këto kohë sfiduese, si dhe operacionet e përbashkëta që po zhvillojmë. Biseduam për bashkëpunimin ekonomik, kryesisht në fushën e tranzicionit energjetik dhe ndërtimit të korridoreve. Biseduam për Korridoret Pan-Evropiane 8 dhe 10, të cilat kalojnë nëpër Maqedoni dhe të cilat janë me rëndësi jetike për ekonominë dhe sigurinë e vendit tonë.”, - deklaroi zëvendëskryeministri i RMV-së, Aleksandar Nikolloski.
Nikollovski po ashtu bëri të ditur se një theks i veçantë i është kushtuar edhe Dialogut Strategjik me ShBA-në, i cili pritet të riaktivizohet.
“Biseduam gjithashtu për thellimin e bashkëpunimit në periudhën e ardhshme. Presim që Dialogu Strategjik të riaktivizohet ku do të diskutojmë sfidat e përbashkëta që kanë të dy vendet. Ekziston edhe marrëveshja tregtare që duhet të mundësojë shumë më tepër biznes, shumë më tepër tregti midis dy vendeve dhe sigurisht partneriteti strategjik që duhet të nënkuptojë prosperitet, përparim, siguri dhe vlera pro-perëndimore të Maqedonisë.”, - theksoi zëvendëskryeministri i RMV-së, Aleksandar Nikolloski.
Zëvendëskryeministri Nikolloski vazhdon vizitën e tij të punës në Uashington sot me një fjalim në ngjarjen globale “Transformimi i Transportit 2026”.
FITIM KRYEZIU
