Maqedoni
Një vit nga tragjedia e Koçanit, do të mbahet konferencë ndërkombëtare
11.03.2026 14:27
Qeveria do të organizojë konferencë ndërkombëtare mbi aspektet institucionale dhe zgjidhjet pas zjarrit në Koçan....

Në përkujtimin e vitit të parë nga tragjedia e Koçanit, Qeveria do të organizojë konferencë ndërkombëtare mbi aspektet institucionale dhe zgjidhjet pas zjarrit në Koçan. Për ekzekutivin, qëllimi nuk është vetëm përkujtim, por edhe zë i përgjegjësisë dhe krijimi i një sistemi më të fortë, më të organizuar dhe më të gatshëm për t’u përballur me situata krize. Më 14 mars do të bëhen bashkë përfaqësues të institucioneve, ekspertë shëndetësorë, organizata ndërkombëtare dhe partnerë humanitarë, tha zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva.
“Vlerë e veçantë e kësaj konference është prania e 37 mjekëve dhe ekspertëve mjekësorë nga jashtë, të cilët në ditët më të vështira pas tragjedisë në Koçan morën pjesë drejtpërdrejt në trajtimin e pacientëve. Prania jonë në këtë konferencë është një mundësi që përvojat nga puna e përbashkët të shndërrohen në njohuri, protokolle dhe zgjidhje sistemore që do të përmirësojnë gatishmërinë e sistemeve shëndetësore në të ardhmen.”, - deklaroi zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva.
Në kuadër të konferencës do të mbahen disa panele tematike. Do të flitet për mekanizmin evropian të mbrojtjes civile dhe reagimin ndërkombëtar. Në fokus do të vihen edhe aspektet logjistike, juridike dhe organizative të operacioneve të tilla, si dhe mësimeve të nxjerra. Do të shqyrtohen edhe aspektet kirurgjikale dhe pulmonare të trajtimit, si dhe koordinimi mes klinikave dhe institucioneve shëndetësore në vend dhe në rajon, tha Miteva, duke shtuar se nuk do të anashkalohet edhe tema për bashkëpunimin multidisiplinar në trajtim, rehabilitim, mjekësi fizikale dhe rikthimin funksional të pacientëve, si dhe për mbështetjen psikologjike dhe psikiatrike.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
