Sportet E Tjera
Gjithçka gati për turneun “Mentaz Allajbegu”
05.06.2015 16:19
Gjitha përgatitjet kanë përfunduar dhe jemi të gatshëm të organizojmë edicionin e dytë të turneut memorial në mundje për fëmijë “Mentaz Allajbegu”...

Janë shprehur kështu nga kryesia e klubit të mundjes Liria, e cila nesër, me fillim në orën 11.00, në palestrën sportive të gjimnazit “Zef Lush Marku”, me një vend do të tuboj diku rreth 130 shpresa të mundjes nga vendi ynë, Kosova dhe Shqipëria.
Në emër të klubit, i ftoj të gjithë dashamirët e mundjes që nesër së bashku të nderojmë emrin e Mentaz Allajbegut, është shprehur në pres konferencën e sotme, kryetari i klubit të mundjes Liria, Betim Vrenezi.
“Ky turnir organizohet për herë të dytë dhe shpresoj që sivjet, ta organizojmë pak më mirë se vitin e shkuar. Në emër të klubit të mundjes Liria dhe në emrin tim personal, i ftoj të gjithë dashamirët e mundjes dhe sportit në përgjithsi, në orën 11 për të përcjellur garat, ndërsa në orën 12.30 në hapjen solemne, që të gjithë së bashku, të nderojmë emrin e Mentaz Allajbegut”, ka thënë Vrenezi.
I kemi bërë të gjitha përgatitjet që të kalojmë sa më mirë me organizimin e turneut, ka shtuar koordinatori i klubit, Amet Ademi.
“Pjesëmarrjen në këtë turne e kanë konfirmuar të gjitha klubet nga vendi si dhe reprezentacionet e Kosovës dhe Shqipërisë. Jemi përgatitur mirë, shpresoj që do të kalojmë mirë dhe ky turnir të vazhdoj të organizohet edhe në të ardhmen” është shprehur Ademi.
Nga ana tjetër, trajneri i fëmijëve të Lirisë, Sufijan Ismaili, ka potencuar se ky turnir është një mundësi e mirë për mundësit e këtij klubi që të dëshmojnë kualitetet e tyre.
“Ekipi i klubit të mundjes Liria është i gatshëm për këtë turne. Shpresojmë që ngjashëm si vitin e kaluar ti dëshmojmë kualitetet tona. Në këtë turne, do të ketë mundës kualitativ nga Kosova dhe Shqipëria dhe bashkë me ata, presim lufta kualitative. Shpresojmë që mundësit që do të na përfaqësojnë nesër, të përsëritin rezultatet nga kampionati shtetëror I mbajtur javën e kaluar”, deklaroi Ismaili.
Garat në edicionin e dytë të turneut memorial për fëmijë “Mentaz Allajbegu”, do të zhvillohen në palestrën sportive të gjimnazit “Zef Lush Marku”, me fillim në orën 11.00, ndërsa hapja solemne e turneut do të jetë në program në orën 12.30. / Mustafa Ademi
