Botë
Operacion luftarak i ShBA-së kundër Iranit, ShBA shënjestron anijet në Ngushticën e Hormuzit
11.03.2026 14:41
Forcat amerikane kanë ndërmarrë një operacion në Ngushticën e Hormuzit...

Forcat amerikane kanë ndërmarrë një operacion në Ngushticën e Hormuzit, duke goditur dhe shkatërruar 16 mjete lundruese iraniane, me pretendimin se të njëjtat vendosnin mina në këtë rrugë strategjike detare. Këto zhvillime kanë rritur tensionet në rajon, ndërsa administrata e presidentit Tramp shqyrton masa shtesë sigurie, përfshirë mundësinë që marina amerikane të shoqërojë cisternat që kalojnë nëpër këtë ngushticë. Nga Shtëpia e Bardhë u theksua se veprimet e fundit janë pjesë e përpjekjeve për të frenuar aktivitetet ushtarake dhe programin bërthamor të Iranit.
“Irani gënjeu dhe mashtroi Shtetet e Bashkuara, duke u përpjekur qartazi të vazhdojë programin e tij bërthamor për të krijuar një bombë që, natyrisht, do të kërcënonte ShBA-në. Për më tepër, arsenali i tyre i raketave balistike po rritej shpejt dhe në mënyrë agresive çdo muaj, deri në pikën kur praktikisht do të krijonin një lloj imuniteti për veten, ku një president i ardhshëm apo presidenti Tramp nuk do të mund ta niste këtë operacion jashtëzakonisht të suksesshëm.”, - deklaroi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karolin Leavit.
Udhëheqësit iranian pas bombardimit të shkollës me fëmijë dhe vrasjes së liderit të tyre suprem, Ali Khameni, nuk janë të interesuar për negociata. Irani ka vazhduar sulmet ndaj Izraelit dhe vendeve të Gjirit. Gjithashtu edhe Izraeli ka filluar një operacion ushtarak në Liban me pretekstin se dëshiron të eliminojë grupet pro-iranian, por deri tani të gjithë ta vrarët janë civilë.
“Po zhvillojmë një fushatë kundër një armiku brutal që dëshiron të na shkatërrojë. Ne i kemi shkatërruar kapacitetet e tyre bërthamore dhe balistike. Në vend që të nxjerrin mësim, ata u përpoqën t’i rindërtojnë dhe t’i fshehin thellë nën tokë në mënyrë që të mos mund t’i godisnim më. Ne u detyruam të ndërmarrim këtë fushatë dhe po veprojmë me energji të shtuar së bashku me ushtarët dhe pilotët tanë heroikë.”, - theksoi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
Ambasadori i Iranit në Kombet e Bashkuara përsëriti kritikat ndaj Këshillit të Sigurimit, duke thënë se ky organ po hesht për luftën e ShBA-së dhe Izraelit kundër Iranit.
“Këshilli po mbyll sytë para këtyre shkeljeve serioze, pavarësisht përgjegjësisë së tij kryesore sipas Kartës së Kombeve të Bashkuara për të ruajtur paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.”, - u shpreh ambasadori i Iranit në OKB, Amir Saeid Iravani.
Një anije luftarake britanike është nisur drejt Mesdheut lindor, ka konfirmuar Marina Mbretërore. Vendimi për dislokimin e saj u njoftua nga qeveria britanike javën e kaluar, pasi baza ushtarake britanike në Qipro u bë objekt i sulmeve me dronë. Dërgimi i anijes vjen mes kritikave për reagimin e vonuar të forcave të armatosura britanike, ndërsa disa vende evropiane tashmë kanë dërguar anijet e tyre ushtarake në rajon për të rritur sigurinë.
FARIJE DAUTI BAKIJU
