Maqedoni

LSM bën thirrje për protestë më 14 mars, rritja e pagës minimale është e domosdoshme

11.03.2026 14:49

LSM po rrit presionin ndaj Qeverisë dhe punëdhënësve për rritje më të madhe të pagës minimale...

LSM po rrit presionin ndaj Qeverisë dhe punëdhënësve për rritje më të madhe të pagës minimale, duke vlerësuar se harmonizimi i propozuar prej 1.667 denarësh është i pamjaftueshëm përballë rritjes së vazhdueshme të kostos së jetesës. Kryetari Sllobodan Trendafilov u bëri thirrje qytetarëve t’i bashkohen protestës që do të mbahet të shtunën, më 14 mars, ku kërkesa kryesore është rritja e pagës minimale në 600 euro dhe rritja e pagave të tjera për të paktën 6.000 denarë.
 
“Të dhënat zyrtare të Drejtorisë së të Ardhurave Publike tregojnë se rreth 160.000 punëtorë në vend jetojnë me të ardhura nën pragun e varfërisë. Vlerësoj se duhet të dilni së bashku me ne, nëse jo ne tani atëherë kush dhe kur?!”, - deklaroi kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafilov.
 
Nga ana tjetër, edhe LSDM kërkon rritje të pagave, duke akuzuar qeverinë dhe kryeministrin Mickoski për gënjeshtra dhe refuzim të rritjes së pagës minimale në 600 euro.
 
“Po çfarë ndodh me pagat? Problemi është se pagat janë ndër më të ulëtat në Evropë dhe fuqia blerëse e qytetarëve të Maqedonisë është në fund. Ky është problemi – standardi i ulët dhe pagat e ulëta. Tani janë në pushtet dhe Qeveria e Mickoskit refuzon ta rrisë pagën minimale në 600 euro. Mickoski del dhe thotë se kërkesa për pagë më të lartë është histeri. Me orë që kushtojnë 60.000 euro, sa vlera e 150 pagave minimale, Mickoski i quan histerikë punëtorët, sepse kërkojnë pagë 600 euro. Nuk është histeri të kërkosh një pagë dinjitoze, është një luftë për një jetë dinjitoze. Orë prej 60.000 eurosh – kjo është histeri.”, - theksoi zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska.
 
VMRO-DPMNE në vazhdimësi protestat e LSM-së i kanë quajtur të nxitura politikisht. Marshi të shtunën do të fillojë në orën 12:05 para selisë së LSM-së, do të vazhdojë para Parlamentit, më pas para Odës Ekonomike dhe do të përfundojë para Qeverisë.
 
ARMEND MURSELI