Maqedoni
Sindikata e Kulturës, ministri Ljutkov shpërdor detyrën
11.03.2026 14:59
Sindikata e Kulturës ka ngritur një padi penale kundër ministrit të Kulturës dhe Turizmit, Zoran Ljutkov...

Sindikata e Kulturës ka ngritur një padi penale kundër ministrit të Kulturës dhe Turizmit, Zoran Ljutkov, për “shpërdorim të pozicionit dhe autoritetit zyrtar” dhe “shkelje të të drejtave të punësimit”. Sipas sindikatës, ministri i Kulturës që deri dje ishte pjesë e Sindikatës, e sot nga pozita e ministrit ka shkelur autorizimet zyrtare.
“Akuzat penale vijnë pas një viti të tërë mundësie që u është dhënë drejtorëve për të korrigjuar gabimin e bërë dhe për të vepruar në përputhje me ligjin dhe marrëveshjet kolektive. Ministri Ljutkov bëri diçka që nuk duhet bërë në një shtet të së drejtës, me udhëzime të dërguara me e-mail dhe udhëzime që ai vetë i përgatiti dhe i nënshkroi, u përpoq të minonte të drejtat e punonjësve të kulturës dhe të zhvlerësonte marrëveshjet kolektive. Me veprimet e tij, ministri Ljutkov i ka sjellë edhe drejtorët e institucioneve kulturore në një pozicion jashtëzakonisht të palakmueshëm dhe ligjërisht të rrezikshëm.”, - thanë nga Sindikata e Kulturës.
Ljutkov: Kam kërkuar dialog vazhdimisht
Por, ministri Ljutkov i hodhi poshtë këto pretendime të pabaza të Sindikatës. Sipas tij, ai dhe Ministria e Kulturës ka kërkuar vazhdimisht dialog me Sindikatën e Kulturës, por se bisedimet përfunduan pa një marrëveshje.
“Janë zhvilluar dy takime me përfaqësuesit e Sindikatës, gjatë të cilave, në vend të një marrëveshjeje të re kolektive, është bërë trysni se Ministria ka bërë gabim në llogaritjen e pagave, një çështje që aktualisht po shqyrtohet në gjykatë. Dëgjova se Ministria e Kulturës nuk kishte kërkuar kurrë dialog. Ja ku i kam të gjitha kërkesat për takim, dhe pas një kohe zhvilluam dy takime që nuk patën sukses. Ata këmbëngulën që të pranojmë një gabim në llogaritjet e pagave, për të cilën jemi në Gjykatë. Kjo marrëveshje kolektive ka skaduar prej disa vitesh. Ne duhet të negociojmë, për të avancuar edhe të drejtat e të tjerëve.”, - theksoi ministri i Kulturës, Zoran Ljutkov.
Ai theksoi se përfaqësuesit e sindikatës shkojnë në zyrën e tij me ultimatum, ku tha se ai nuk funksionon nën presion dhe me ultimatume.
FITIM KRYEZIU
