Ekonomi
Rritja e çmimeve të naftës, opozita kërkon masa konkrete
11.03.2026 15:15
Opozita reagon pas shtrenjtimit të standardit jetësor...

Opozita reagon pas shtrenjtimit të standardit jetësor. BDI kërkon nga Qeveria masa urgjente përballë rritjes së çmimeve sikurse ushqimore po ashtu edhe të derivateve të naftës. Ata propozojnë kufizime të çmimeve të produkteve, parandalimin e keqpërdorimeve me çmimet, si dhe rritje të pagave minimale për 3.500 denarë. BDI ftoi Komisionin Rregullator për Energjetikë që të shqyrtojë çmimet e derivateve të naftës dy herë në javë për të reflektuar rënien e çmimeve në bursat ndërkombëtare.
“I bëjmë thirrje Komisionit Rregullator për Energjetikë që të shqyrtojë më shpesh çmimet e derivateve të naftës, të paktën dy herë në javë, duke marrë parasysh se në bursat ndërkombëtare tashmë ka rënie të konsiderueshme të çmimeve. Çdo vonesë në reflektimin e këtyre ndryshimeve në tregun vendor është barrë shtesë për qytetarët dhe bizneset.”, - deklaroi Sinan Veseli nga BDI.
Edhe LSDM me vërejtje se çmimi i naftës ka prekur kulmin, ndërkaq pagat fundin. Socialdemokratët akuzojnë VMRO – DPMNE-në se ka gënjyer popullin për uljen e akcizave të derivateve të naftës.
“Edhe pse në berzat botërore çmimi i naftës po ulet, qytetarët e Maqedonisë paguajnë derivate më të shtrenjta. Të gjitha shtetet në rajon vendosën masa për kufizimin e çmimeve të derivateve, vetëm Qeveria e Mickoskit nuk e bëri këtë. Siç duket Mickoski me vetëdije po përfiton në kurrizin e qytetarëve.”, - theksoi zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska.
Mickoski: Jemi më të lirët në rajon
Sa i takon masave të propozuara nga BDI, kryeministri Hristijan Mickoski tha se Qeveria është duke shqyrtuar masa të tilla, por qetësoi se për momentin vendi nuk rrezikohet nga mosfunksionimi normal. Mickoski këmbëngul në qëndrimin se Maqedonia e Veriut ka çmime më të ulëta të derivateve të naftës në rajon.
“Edhe përkundër të gjitha sfidave, nuk ka goditje të çmimeve dhe asnjëherë nuk është vënë në pikëpyetje furnizimi me naftë dhe derivate të naftës. Nëse një litër naftë dizel tek ne është 1 euro e 39 cent, në vendet fqinje është më e lartë. P.sh. në Shqipëri është 35% më e shtrenjtë, 1.79 euro për liter dizel; në Serbi 1.73; në Greqi 1.59; në Kosovë lëviz midis 1.44 dhe 1.52; në Bullgari është 1.41. Për momentin, më e lartë është trysnia nga banorët e vendeve fqinje të vijnë në komunat kufitare dhe të mbushin rezervarët e makinave të tyre. Por, edhe përkundër kësaj trysnie kemi rezerva të mjaftueshme nga kompanitë furnizuese.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Mickoski premton në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve të produkteve që mos të vij në rritje dramatike të inflacionit, i cili aktualisht lëviz midis 3 dhe 4%.
MERAL ISMAILI
