Maqedoni
Reagime për Nenad Saveskin, Mickoski: Kishte biografinë më të mirë
11.03.2026 15:22
Emërimi i Nenad Saveskit si kandidat për prokuror të ri publik të shtetit ka nxitur reagime nga pushteti dhe opozita....

Emërimi i Nenad Saveskit si kandidat për prokuror të ri publik të shtetit ka nxitur reagime nga pushteti dhe opozita. Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se përzgjedhja është bërë pas analizës së kandidatëve dhe biografive të tyre, përderisa mohoi se e njeh perosnalisht Nenad Saveskin.
“Njëkohësisht janë marrë parasysh edhe përfundimet e Këshillit të Prokurorëve Publikë. Arritëm në përfundimin se Nenad Saveski mund të jetë një zgjidhje e përshtatshme për prokuror të ri publik të shtetit. Unë personalisht nuk e njoh, por nga ajo që munda të shoh nga biografia e tij dhe nga informatat që morëm përmes pyetjeve dhe interesimit, vlerësojmë se ai mund të jetë një prokuror publik shtetëror i shkëlqyer.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
LSDM: Prokurori publik duhet të jetë i pavarur
Nga LSDM theksojnë se nuk do të nxitojnë me gjykime të parakohshme, por se do ta ndjekin me kujdes punën e tij, veçanërisht në rastet që lidhen me korrupsion dhe tenderë, për të parë nëse ai do të ketë guximin të veprojë edhe kur rastet çojnë drejt pushtetit.
“Të veprojë sipas ligjit, të ndjekë krimin, pa marrë parasysh kush qëndron pas tij dhe të tregojë se prokuroria nuk është instrument i pushtetit. Mënyra se si u zhvillua shkarkimi i prokurorit të mëparshëm, presionet politike dhe eliminimi i një prokurori publikisht në televizion nga ana e Mickoskit, lënë dyshime serioze për qëllimet e pushtetit.”, theksojnë nga LSDM.
BDI: Të kontribuojë në sundimin e ligjit
Ndërkohë, BDI vlerëson se kandidati për kryeprokuror i plotëson kushet formale, ndërsa shprehin pakënaqësi që Qeveria nuk zbatoi një proces transparent dhe konsultativ, gjë që ngre dyshime mbi qasjen.
“Presim që puna e tij të mos jetë pjesë e pritjeve të pushtetit për një prokuror të afërt me politikën, por të kontribuojë në forcimin e sundimit të ligjit dhe në ndjekjen e krimit duke respektuar standardet bashkëkohore të një procedure të drejtë dhe të ndershme.”, theksojnë nga BDI.
Përndryshe pritet që këto ditë propozimi i Qeverisë për emërimin e Nenad Savevskit për shef të ri të Prokurorisë Publike të shkojë në Kuvend, për të marrë dritë të gjelbërt.
ERSAN PAJAZITI
