Maqedoni
"Qyteti i Sigurt", Gjykata Kushtetuese hedh poshtë iniciativat
11.03.2026 15:31
Gjykata Kushtetuese ka vendosur të refuzojë të tre iniciativat me të cilat u kontestuan dispozitat e Ligjit për kundërvajtje..

Gjykata Kushtetuese ka vendosur të refuzojë të tre iniciativat me të cilat u kontestuan dispozitat e Ligjit për kundërvajtje, gjegjësisht aplikimi i sistemit "Qyteti i Sigurt". Dispozitat ligjore u kontestuan në disa aspekte, siç është përdorimi zyrtar i gjuhëve në procedurë kundërvajtëse, parimi i barazisë dhe zbatimi territorial. Vendimit në fjalë i parapriu një debat i gjerë me mendime të ndara, posaçërisht nga gjykatësit shqiptarë sa i përket aplikimit të gjuhës shqipe në këtë rast. Raportuesja e lëndës, gjykatësja Ana Pavllova Daneva vlerësoi se duke u bazuar në praktikën e Gjykatës Kushtetuese ashtu edhe të praktikës evropiane nuk ka bazë për fillimin e procedurës për kushtetueshmërinë e neneve të kontestuara. Në të njëjtën vijë edhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinoski.
“Në parim ne propozojmë që të përjashtojmë kompetencën tonë pasi në asnjërin nga argumentet nuk gjetëm që asnjë nga dispozitat e propozuara të jenë të anulohen apo shfuqizohen pavarësisht nga propozimi. Nuk gjejmë arsye për inicimin e procedurës.”, - deklaroi gjykatësja kushtetuese, Ana Pavlova Daneva.
“Ndryshimet ligjore që janë bërë janë absolutisht proporcionale me qëllimin legjitim që është dashur të arrihet. Në tërësi do ta pranoj raportin dhe me fuqinë e provave dhe analizën për disa çështje kontestuese. Nuk pajtohem se në këtë rast konkret bëhet fjalë për shkurtimin e të drejtave për përdorimin e gjuhëve.”, - theksoi kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski.
Naser Ajdari, Osman Kadriu dhe Fatmir Skender nuk e mbështetën propozimin për mos ngritjen e procedurës. Kushtetuta garanton përdorimin e gjuhës shqipe, ndërsa ligji pamundëson një gjë të tillë.
“Në praktikën e Gjykatës Evropiane për të drejta të njeriut është zhvilluar standardi për "cilësi të ligjit", sipas të cilit normativat ligjore duhet të jetë mjaftueshëm e qarta, precize dhe të parashikueshme që t’u mundësojë qytetarëve t'i parashohin pasojat juridike nga sjelljet e tyre. Mungesa e precizitetit dhe rregullave të parashikueshme, sa i përket këtyre çështjeve, mund të sjellë në pasiguri juridike dhe të vejë në pikëpyetje edhe zbatimin e standardit kushtetues për sundimin e ligjit. Unë nuk e mbështes referatin dhe propozimin e dhënë.”, - u shpreh gjykatësi kushtetues, Naser Ajdari.
“Cila do të ishte logjika që ne të respektojmë shtetasit e huaj që për mua është shumë punë e mirë që në gjuhën angleze t'ia japim raportin, ndërsa shteti ynë, ligjvënësi ynë nuk dëshiron të respektojë gjuhën e shtetasit të tij. Për mua kjo është absurde.”, - deklaroi gjykatësi kushtetues, Fatmir Skender.
“Me ligjin që e miraton shtëpia ligjvënëse, për çdo të drejtë që vërtetohet apo garantohet me Kushtetutë, ligjvënësi nuk mundet që atë të drejtë ta ngushtojë, ta kufizojë e aq më pak ta shfuqizojë atë. Nuk e ka një të drejtë të tillë. Në rastin konkret, çështja e përdorimit të gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, edhe në procedurat për këto kundërvajtje. E drejta nuk po zbatohet dhe kjo d.m.th. se gjuha shqipe nuk po përdoret.”, - theksoi gjykatësi kushtetues, Osman Kadriu.
Iniciativat në Gjykatën Kushtetuese u dorëzuan nga Zijadin Sela, Ilire Dauti, Elmi Aziri, Ylli Paçuku dhe Arben Taravari. Aplikimi i sistemit të kamerave "Qyteti i Sigurt" ka filluar të aplikohet nga muaji shkurt në qytetin e Shkupit, Tetovës dhe Kumanovës.
FLORIJE KAMBERI
