Basketboll

NBA: Warriors fitojnë ndeshjen e parë finale

05.06.2015 16:22

Golden State Warriors ka fituar takimin e parë të finales së madhe të NBA-së, duke mposhtur Cleveland Cavaliers në kohën shtesë...

As Lebron James me lojën e tij fantastike nuk mjaftoi që Cleveland Cavaliers të evitonin disfatën me shifrat 108-100 pas kohës shtesë ndaj Golden State Warriors.
 
Ylli i Cleveland realizoi në total 44 pikë 8 kërcime dhe 6 asiste, por në fund ishin vendasit e Golden State ata që festuan pas një ndeshjeje spektakolare që përmbushi të gjitha pritshmëritë e tifozëve.
 
Me 26 pikë 8 asiste dhe 4 topa të zotëruar nën tabelë Stephen Curry udhëhoqi formacionin nga Oakland drejt një suksesi shumë të rëndësishëm që i jep avantazhin 1-0 me ndeshje, luftëtarëve.
 
Në një Oracle Arena të veshur të gjithin në të verdhë sfida nisi me dëshirën e madhe të basketbollistëve të Golden State për t’i dhënë drejtim takimit që në minutat e para.
 
Por te Warriors mesa duket nuk i kishin bërë llogaritë me mbretin James, i cili zhvilloi një periodë të parë fantastike duke bërë që ky 12 minutësh të mbyllej me shifrat 29-19 në favor të Cavaliers.
 
Megjithatë reagimi i Golden State nuk mungoi aq më tepër kur në lojë është titulli i Nba që skuadrës nga Oakland i mungon që prej vitit të largët 1975.
 
Falë edhe Stephen Curry dhe Klay Thompson, Warriors arritën të ngushtonin distancën duke shkuar në pushim në disavantazh të vetëm 3 pikëve.
 
Në pjesën e dytë sfida u nxeh edhe më shumë aq sa në përfundim të periodës së tretë dhe asaj të 4-t tabela elektronike e Oracle Arena tregonte shifrat e barabarta fillimisht 73-73 dhe më pas 98-98 edhe pse Lebron James e pati mundësinë për t’i dhënë Clevelandit fitoren në kohën e rregullt, por nuk u tregua i saktë në goditjen e fundit.
 
Në 5 minutat e shtesës ndeshja nuk pati më histori pasi Golden State me një sulm të organizuar mirë dhe një mbrojtje perfekte ja doli të regjistronte një rezultat të pjesshëm 10-2 dhe ta fitonte gjithë ndeshjen me rezultatin 108-100.
 
Me avantazhin 1-0 në favor të Warriors edhe takimi i dytë final do të luhet në Oakland të Dielën.