Shkup, 83 vjet nga deportimi i hebrenjve maqedonas
Me këtë rast u bënë homazhe...

“Kujtesa është detyra jonë morale, ndërsa lufta kundër urrejtjes është përgjegjësia jonë historike.” - me këtë moto vendi shënoi 83-vjetorin e deportimit të 7.144 hebrenjve maqedonas në kampin nazist të shfarosjes Treblinka Extermination Camp.
Me këtë rast u bënë homazhe dhe u vendosën kurora me lule para memorialit në ish-Monopol Tobacco Factory në Skopje. Sipas dëshmive historike, fillimisht u bllokua lagjja hebraike në Shkup, ndërsa më pas hebrenjtë u sollën në hapësirat e Monopolit të atëhershëm.
“Së pari është bllokuar lagja e hebrenjve, më pas janë sjellë këtu në këtë territor, në ish-Monopolin e atëhershëm, me çka në tri grupe janë dërguar në Treblinka dhe prej atje më askush nuk është kthyer.”, - tha një dëshmitar.
Kryetari i Bashkësisë Hebraike në Maqedoni theksoi se nuk duhet të lejohet që harresa të përpijë kujtimin për hebrenjtë maqedonas dhe për “trenat e vdekjes”.
“Guri me mbishkrimin “Maqedonia” sot po vihet në dyshim; po kërkohet riemërtimi ose heqja e tij për shkak të mosmarrëveshjeve politike dhe futjes së politikës së përditshme në një varr masiv. Dua të theksoj se ai gur nuk është formulë gjeopolitike dhe as qëndrim diplomatik – ai është historia e hebrenjve maqedonas.”, - deklaroi kryetari i Bashkësisë Hebraike në Maqedoni, Pepo Levi.
Ambasadorja e Gjermanisë në vend, Petra Drekler, deklaroi se Gjermania e pranon me dinjitet përgjegjësinë historike për krimet e kryera nga regjimi nazist gjatë Holokaustit.
“Një gjë që e dimë me siguri, është përgjegjësia historike e nazistëve për krimet kundër njerëzimit gjatë Holokaustit. Ne e pranojmë këtë përgjegjësi duke pasur parasysh se e kaluara e dhimbshme nuk mund të harrohet dhe as të trajtohet sikur nuk ka ndodhur.”, - theksoi ambasadorja e Gjermanisë në RMV, Petra Beksler.
Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski, theksoi se kujtesa për Holokaustin është një detyrë morale dhe se shoqëria ka përgjegjësi historike për të luftuar urrejtjen dhe intolerancën.
“Historia na mëson se e keqja fillon me fjalë, me paragjykime dhe me indiferencë dhe përfundon me tragjedi që e tronditin njerëzimin. Prandaj sot, si shtet dhe si shoqëri, e ripërtërijmë betimin tonë se do ta ruajmë të vërtetën, do ta kultivojmë kujtesën dhe do ta mbrojmë dinjitetin njerëzor.”, - u shpreh kryeministri, Hristijan Mickoski.
Më 11 mars 1943, 7.144 hebrenj nga Maqedonia u deportuan drejt kampit të shfarosjes Treblinka, ku më pas u vranë. Rreth 98 për qind e popullsisë hebraike në Maqedoni u shfaros, duke e bërë këtë një nga përqindjet më të larta të shkatërrimit të komuniteteve hebraike në Evropën e pushtuar gjatë Holokaustit. (Fitore Nagavci, TVM2)
