Dita botërore e veshkave, të rritet ndërgjegjësimi për dhurim të organeve
Me moton "Veshka të shëndetshme për të gjithë...

Me moton "Veshka të shëndetshme për të gjithë - Ne kujdesemi për pacientët dhe mbrojmë planetin”, u shënua dita botërore e veshkave. Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, me këtë rast theksoi se në vend rreth 85% e pacientëve trajtohen me hemodializë, ndërsa rreth 15% me transplantim të veshkave.
Ai njëherësh apelon për rritjen e ndërgjegjësimit të popullatës për rëndësinë e transplantimit, si një akt që shpëton jetë dhe përfaqëson shprehjen më të lartë të solidaritetit njerëzor.
“Lista që presin pacientët për transplant është jashtëzakonisht e madhe, por donorë kemi shumë pak në listë. Ideja është që bashkë të punojmë me juve me qytetarët, me të gjitha institucionet shtetërore publike joqeveritare etj, që të ngremë procesin e dhurimit të ndonjë organi të jetë normal, të jetë proces normal i jetës sonë, pasi që e dimë se njeriu lind dhe vdes, por kur edhe pas mbarimit të jetës sonë u mundësojmë një jetë më cilësore ndonjë qytetari, besoj që duhet të jetë një proces normal dhe shumë etik.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
Për transplantim të veshkave presin rreth 100 pacientë. Hemodializa shtetit në vit i kushton 25 milionë euro, ndërsa pacientët nuk kanë jetë cilësore edhe përskaj mjeteve të shumta që shpërndahen, thonë nga Klinika e Nefrologjisë. Sipas tyre, nga dhurimi i organeve nga një donator i vdekur mund të shpëtohen 8 jetë njerëzish dhe të kenë jetë më të mirë.
“Ka pasur raste që gruaja mund t’i dhuronte organ burrit, por kushëriri i parë nuk mund të dhuronte, sepse ishte brezi i katërt. Pikërisht në këtë drejtim duhen bërë ndryshime në pjesët e transplantimit të të gjallëve ku do të rritet pragu, gjegjësisht brezi që do të jenë dhurues të veshkave për pacientët që kanë nevojë për to.”, - theksoi drejtori i Nefrologjisë, Nikolla Gjorgjievski.
“Është e trishtueshme kur përgatitesh për një transplant për disa ditë, të gjitha ekipet janë gati dhe në fund familja nuk jep pëlqimin e saj. U bëj thirrje të gjithëve të mendojnë vetë, të flasin me familjen e tyre, të shprehin qëndrimin e tyre në lidhje me dhurimin e organeve të tyre pas vdekjes.”, - u shpreh koordinatorja nacionale për transplant, Biljana Kuzmanovska.
Ministria e Shëndetësisë çdo vit zbaton edhe një program për sigurimin e mjeteve për trajtimin e pacientëve me dializë, i cili përfshin personat në hemodializë pa sigurim shëndetësor, furnizimin me vaksina kundër hepatitit B, si dhe aktivitete edukative për parandalim. (Vlora Latifi Topojani, TVM2)
