Botë
Izraeli sulmon sërish Bejrutin, çmimi i naftës rritet mbi 100 dollarë për fuçi
12.03.2026 10:31
Një tjetër incident i rëndë ndodhi në Bejrut, ku 8 persona humbën jetën dhe 81 të tjerë u plagosën...

Një tjetër incident i rëndë ndodhi në Bejrut, ku 8 persona humbën jetën dhe 81 të tjerë u plagosën pas një sulmi me dronë nga forcat izraelite.
Sipas mediave libaneze, mbrëmë sulm me dronë nga Izraeli u krye në një pikë ku shumë prej personave të zhvendosur po qëndrojnë përkohësisht në tenda.
Sipas informacionit, kjo zonë specifike nuk është e lidhur me pozicionet e Dahiyas ose Hezbollahut. Në të njëjtën kohë, siç vërehet nga pamjet që qarkullojnë në internet, njësitë e ushtrisë libaneze kanë operuar në zonë që nga mëngjesi i sotëm, duke u përpjekur të largojnë një predhë të pashpërthyer nga trotuari, me qëllim shmangien e një rreziku të ri për qytetarët.
Ndërkohë çmimet globale të naftës janë rritur sërish mbi 100 dollarë për fuçi, ndërsa përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme po shton pasiguritë për furnizimin global me karburant. Rritja vjen vetëm pak ditë pasi çmimet arritën nivelin më të lartë në katër vitet e fundit, ndërsa përplasjet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Izraelit dhe Iranit po ndikojnë drejtpërdrejt tregjet ndërkombëtare të energjisë. Rritja e çmimeve ndodhi pavarësisht vendimit të vendeve anëtare të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), të cilat ranë dakord unanimisht për të hedhur në treg një sasi rekord prej 400 milionë fuçi naftë për të stabilizuar furnizimin global.
