Rajon

Aeroporti “Adem Jashari” në Prishtinë, u evakuuan 109 shtetas të RMV-së

12.03.2026 14:04

Mbrëmë vonë arritën në aeroportin e Prishtinës 109 shtetas të Maqedonisë së Veriut...

Mbrëmë vonë arritën në aeroportin e Prishtinës, me një fluturim special nga Riadi, 109 shtetas të Maqedonisë së Veriut, të cilët u evakuuan nga Arabia Saudite, Kuvajti dhe Bahreini. Ata më pas u transportuan për në Shkup. Qytetarët e evakuuar thonë se kanë qenë të frikësuar nga situata e tensionuar në Lindjen e Mesme. 
 
“Bashkëshorti jetonte atje, isha në vizitë dhe ndodhi ajo që ndodhi dhe nuk mundeshim të kthehemi fare. Tani jemi të gëzuar që u kthyem.”, - tha një qytetare.
 
“Ishim njoftuar në kohë se do të evakuohemi nga Kuvajti. U realizua nëpërmjet Riadit, u transportuam me autobus në Riad dhe prej atje me aeroplan këtu në Prishtinë, tani po na presin autobus për në Shkup.”, - tha një qytetar tjetër.
 
“Na morën nga Kuvajti. Nuk pamë asgjë, por vet ndjenja kur i dëgjoni sirenat dhe zhurmën e raketave nuk është ndjenjë e mirë. Gjatë ditës ishte gjithçka normale, por nuk ishim të sigurt se si do të zhvillohet situata më vonë.”, - u shpreh një qytetare.
 
Me transportin e tretë të organizuar ka përfunduar procesi i evakuimit të shtetasve të vendit të cilët ndodheshin në Katar, Bahrein, Kuvajt dhe Arabinë Saudite, bëri të ditur shefi i diplomacisë, Mucunski, i cili paralajmëroi mundësinë e organizimit të një fluturimi për shtetasit që ndodhen në Emiratet e Bashkuara Arabe. 
 
“Kemi mundësi për realizim edhe të një fluturimi për qytetarët të cilët ndodhen në territorin e Emirateve të Bashkuara Arabe. Me këtë fluturim e kemi përfunduar tërësisht evakuimin e të gjithë qytetarëve që kishin kërkuar evakuim, të cilët ishin në territorin e Katarit, Bahreinit, Kuvajtit dhe Arabinë Saudite. Sa u përket qytetarëve që kanë mbetur në Emiratet e Bashkuara Arabe shohim sa është interesimi, a ekziston interesim dhe në përputhje me këtë do ta definojmë dinamikën e largimit, nëse ka nevojë të realizohet ai fluturim. Sipas të gjitha gjasave do të ketë nevojë të realizohet, por ende jemi në komunikim me shtetasit tanë, të cilët fillimisht kërkuan evakuim, por kur iu mundësua, një pjesë e tyre megjithatë vendosën të qëndrojnë.”, - deklaroi Timço Mucunski nga MPJ.
 
Evakuimi u realizua drejt aeroportit të Prishtinës, Adem Jashari, pasi Maqedonia e Veriut ende nuk ka nënshkruar marrëveshje për transport ajror me Arabinë Saudite. Brenda një jave nga Lindja e Mesme janë evakuuar rreth 300 shtetas të Maqedonisë së Veriut. 
 
GYLTENE SINANI